Çmimi i rrymës mbetet njësoj për bizneset, shtrenjtohet vetëm për konsumatorët shtëpiakë

  • A.P /
  • 18 January 2022 - 18:08
Çmimi i rrymës mbetet njësoj për bizneset, shtrenjtohet vetëm për konsumatorët shtëpiakë

Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 600 kWh energji elektrike në muaj. Këtu nuk përfshihen bizneset. Konsumatorët biznesorë mund të shpenzojnë energji elektrike sa të duan dhe faturën e paguajnë me çmimin e vjetër.

57.7 milionë euro vlerësohet se nevojiten për t’i barazuar të hyrat e kostove të sistemit, që ndërlidhet me kostot e larta të importit të energjisë elektrike dhe mjeteve që mund të gjenerohen nga konsumatorët. Këtë shumë do ta mbulojë qytetarët që konsiderohen konsumatorë shtëpiakë, duke e paguar me shtrenjtim energjinë e shpenzuar elektrike, nëse ajo shkon në mbi 600 kWh në muaj.

Sipas propozimit të ZRRE-së, të miratuar nga Qeveria, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencionimi i Qeverisë prej 75 milionë eurosh.

Subvencionimi i energjisë elektrike nga Qeveria i mban të pakrekur nga rritja e çmimit të rrymës vetëm bizneset. Tarifa për konsumatorët biznesorë mbetet me 0% rritje, pavarësisht se sa shpenzojnë ata energji elektrike.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj)”, thuhet në propozimin e ZRRE-së të publikuar të hënën, dhe të miratuar sot nga Qeveria.

Lajmin e mirë ua dha paradite biznesmenëve kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

“Pas shume pyetjeve nga bizneset, per ceshtjen e rritjes te tarifes se energjise elektrike, nje pergjigje e shkurte:- Nuk pritet te kete rritje te tarifes se energjise elektrike, per kategorine e bizneseve”, shkroi Rukiqi në Facebook.

Këtë e konfirmoi pasdite Qeveria.

“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, u tha në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë.


(Kosova Sot Online)