Bastiset një banesë në Prishtinë, arrestohet një person me identitet të dyfishtë

  • A.P /
  • 25 janar 2022 - 18:12
Bastiset një banesë në Prishtinë, arrestohet një person me identitet të dyfishtë

Policia e Kosovës sot ka realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontrollimin e një banese me lokacion në Prishtinë. Gjatë kontrollimit të banesës është hasur një person i cili i kishte në posedim dokumente identifikuese personale me fotografi të njëjtë, por me të dhëna të ndryshme.

Dokumentacionet në fjalë ishin një pasaportë dhe një letërnjoftim i RKS-së me të dhënat e emrit-inicialet (M. S.), kurse dokumenti tjetër ishte një letërnjoftim i një shteti tjetër me të dhënat e emrit-inicialet (M. M.)

“Personi i lartcekur kishte në posedim veturë me targa të një shteti tjetër dhe i njëjti nuk posedon leje të vozitjes. Gjatë kontrollimit të këtij personi janë gjetur sende të dyshuara që gjatë hetimit të mëtutjeshëm mund të lidhen me veprimtarinë e dyshuar të këtij personi.

Në këtë fazë, ky person dyshohet për veprën penale Legalizim i përmbajtjes së rreme dhe Falsifikim i dokumentit, sipas kodit penal të Republikës së Kosovës”, njofton policia, transmeton Express.

Gjatë kontrollimit të banesës dhe veturës janë gjetur  dhe sekuestruar përkohësisht:

• Aparat per detektimin e kamerave dhe senzorëve;

• 2 (dy) thika;

• 1 (një) shtëpizë kompjuteri;

• 7 (shtatë) telefonë celularë të llojeve të ndryshme;

• Kartela telefoni të shtetit të Serbisë dhe të RKS-së;

• Para kesh me vlerë 2675 (dy mijë e gjashtëqind e shtatëdhjet e pesë) euro;

• Lira turke me vlerë 45;

• Dokumente të identifikimit të dyshuara të falsifikuara: Letërnjoftim i një shteti tjetër, Pasaport dhe leternjoftim i RKS-së; 

• Faktura të ndryshme, fletore per evidenca; 

• Vetura Renault Clio me targa të huaja;

Me aktvendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve.

(Kosova Sot Online)