A do të mbyllen shkollat – Ministri i Shëndetësisë del me njoftim të ri

  • G.G /
  • 26 January 2022 - 13:20
A do të mbyllen shkollat – Ministri i Shëndetësisë del me njoftim të ri

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha në Komisionin për Shëndetësi se numri më i madh i të infektuarve në Kosovë është me variantin Omicron, ndërsa sipas tij, numri i atyre që kërkojnë kujdes në spital, sidomos në kujdesin intensiv ende është i menaxhueshëm.

Ai bëri të ditur se për personelin mjekësor të infektuar kanë ndërruar strategji rreth kthimit në punë, pasi sipas tij punëtorët shëndetësorë të cilët brenda pesë dite nuk kanë shenja klinike të infeksionit atëherë mund të kthehen në punë.Ministri tha se ia kanë lënë shkollave qe me vendosë sesi do ta vazhdojnë mësimin, online apo me prani fizike.

“Jam shumë i vetëdijshëm se nëse i mbyllim shkollat, ekonomia ka me pasu shumë. Për shkak se nëse nuk shkojnë në shkollë atëherë prindërit nuk kanë me shku në punë. Shkollat do të vendosin a të shkojnë me mësim online apo me prani fizike. Nëse nesër na keqësohet gjendja, absolutisht duhet me i mbyll shkollat”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se infeksionet respiratore nuk ndalohen me polici në kufi, ndërkaq theksoi se në spitale ka filluar një lloj relaksimi, ku nuk po mbahen as doreza e maska.Ai po ashtu tha se shqetësim i personelit shëndetësor është edhe Ligji i pagave.

“Ka disa shqetësime që duhet t’i vendosim këtu. Karakteristik e përgjithshme deri sot është reagimi i vonë ndaj situatës, ndërsa kisha dashur që kjo të jetë hera e fundit që pasi të ngrihet shqetësimi, ne duhet të veprojmë. Të gjitha vendet ishin me Omicron një muaj para neve, e nuk ndalet virusi me masa në kufi”, tha ai.

Lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë tha se ai kur shkon në klinika nuk sheh relaksim dhe sipas tij ende nuk ka hapësirë për t’u relaksuar.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së pagave, ministri tha se pajtohet por se Ligji i pagave është çështje tjetër dhe në procedurë e sipër.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Armend Zemaj, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen me pandeminë COVID-19.Ai ka thënë se ministri Latifi po vazhdon të ndihet komod me situatën pandemike në vend.

“Ne jemi në situatë pandemike dhe duke u përballur me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të infeksionit. Na intereson nëse është nga paaftësia qeverisëse të shohemi çfarë mundemi me ndihmu në këtë pjesë, nëse është nga mungesa e informacionit dhe neglizhenca që është parë nga këta tre muajt e fundit, pa dashur që detyrimisht të ju bëjë juve pjesë të kësaj, sepse këtë logjikë e kemi parë edhe në pjesën e parë të vitit të kaluar ku pasojat janë evidente verës, që ndërlidhen edhe me masat, që masa e sfidonte masën, dhe kjo logjikë duket se ju është dërguar dhe ju e keni përkrahur në muajin janar”, ka deklaruar Zemaj.

Zemaj tutje ka kritikuar ministrin Latifi për masat kufizuese Anti-COVID, derisa ka thënë se kjo i ka futur në “konflikt” me shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë e Luginës së Preshevës.

(Kosova Sot Online)