Kryeministri Kurti thotë se masat ndaj atyre që hyjnë në Kosovë s’janë diskriminuese

  • G.G /
  • 27 January 2022 - 14:05
Kryeministri Kurti thotë se masat ndaj atyre që hyjnë në Kosovë s’janë diskriminuese

Kryeministri Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për gjendjen me pandeminë ka thënë se masat e marra ndaj atyre që hyjnë në Kosovë nuk janë diskriminuese ndaj askujt.

Kurti ka thënë se në shtetet tjera ky vendim mund të konsiderohej si diskriminues pasi që ato vizitohen edhe nga qytetarë të Azisë e Afrikës të cilët nuk kanë mjaftueshëm vaksina, por siç thotë ai, gati se të gjithë ata që hyjnë në Kosovë janë nga Evropa e Amerika, të cilat kanë mjaftueshëm furnizim me vaksina.

“Kjo logjikë nuk vlen për neve se gati të gjithë udhëtarët që vinë në Kosovë janë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe atje siç e dimë nuk ka mungesë të vaksinave. Edhe tek ne nuk ka mungesë të vaksinave. Në stoqet tona janë gjysmë milioni vaksina.  Pra nuk po diskriminohet askush me këtë në vendin tonë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka thënë se hospitalizimit dhe vdekjet në Kosovë janë nën kontroll dhe se ata po përpiqen që të zvogëlojnë shkallën e infektimeve me virus.

 “Në kohën kur e gjthë bota por edhe rajoni po përballeshin me shifra alarmante të të infektuarve, ishte vetëm çështje kohe kur ky variant i virusit do të përhapej edhe në vendin tone. Numri i hospitalizimeve dhe humbjeve të jetës në këtë fazë mund të duket relativisht i ulët kjo natyrisht për shkak se një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar me dy doza dhe po vazhdon mirë edhe vaksinimi me dozën e tretë përforcuese”, ka shtuar Kurti.

(Kosova Sot Online)