Kisha serbe dhe shërbimi sekret BIA, aksion për të ndaluar zgjedhjen e Abazoviqit kryeministër

  • G.G /
  • 28 January 2022 - 15:14
Kisha serbe dhe shërbimi sekret BIA, aksion për të ndaluar zgjedhjen e Abazoviqit kryeministër

Mediat malazeze bëjnë të ditur se ka një aksion të përbashkët të Kishës Ortodokse serbe, shërbimit sekret serb BIA dhe atij malazez ANB, që janë koordinuar për të ndaluar me të gjitha mjetet rrëzimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiçit dhe emërimin e Dritan Abazoviqit si kryeministër.

Gazeta më e madhe në Mal të Zi, ‘Pobjeda’ shkruan në kryetartikullin e saj se në një mbledhje të fshehtë në ndërtesën e Qeverisë të dielën në mbrëmje, është marrë një vendim strategjik për mënyrën e veprimit të mëtejshëm: ngritja e logjistikës mediatike për të shoqëruar tubimet protestuese, përfshirja e drejtpërdrejtë e kishës serbe në sulmet ndaj pakicave dhe mbrojtja e Qeverisë së Krivokapiçit e ndihma e dërguar nga strukturat e inteligjencës në Beograd.

‘Pobjeda’ bën të ditur, se që nga dita kur 31 deputetë dorëzuan në Kuvend nismën për votëbesimin e Qeverisë së Malit të Zi, kryeministri Zdravko Krivokapiç me ministra besnikë, nisi – përmes kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe  ekstremistit Predrag Leçiç, me mbështetjen logjistike të shërbimit sekret malazez ANB-së dhe pjesës së BIA-s serbe – një veprim gjithëpërfshirës për të parandaluar rënien e qeverisë më 4 shkurt, në çfarëdo mënyre, institucionalisht ose me presionin e rrugës.

Sipas informacioneve të ‘Pobjeda’, aksioni është projektuar në tre drejtime dhe ka kontraktorë të shumtë.

Detyra parësore ishte mobilizimi dhe organizimi i protestave masive në disa qytete malazeze sa më shpejt të jetë e mundur, për të krijuar presion mbi URA-n dhe partisë ‘Popullore Socialiste’, e cila gjithsesi përkrah pavarësinë e Malit të Zi dhe ka ndërmarrë një aksion të fortë për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

Dy tubimet e para para selisë së qeverisë malazeze nuk ishin shenjë suksesi. Zhurma e disa qindra demonstruesve dhe e disa deputetëve të mazhorancës, të udhëhequr nga populistët e priftit të kishës serbe Mijajlo Backoviç, nga shoqatat dhe organizatat ekstremiste serbe “Miholjski zbor” dhe vëllazëria “Tvrdosh”, dukej më shumë si tubime të krahut të djathtë radikal.

Hedhja e fletëpalosjeve me karikaturat e drejtuesve të URA dhe socialistëve popullorë që dikur janë udhëhequr nga Momir Bullatoviç me mbishkrimet “Tradhtia”, nuk shkaktoi ndonjë efekt të madh.

Prandaj, me mbështetjen e ekipit të Dejan Vukshiçit nga shërbimi sekret i Malit të Zi, njerëzit e Krivokapiçit ndryshuan plan.

Ndonëse gjuha e urrejtjes e drejtuar kundër malazezëve, boshnjakëve, myslimanëve dhe shqiptarëve shkaktoi gëzimin e shovinistëve të mbledhur në shesh, kjo taktikë rezultoi një veprim kundërproduktiv.

Kjo u pa në reagimin e shpejtë të përfaqësuesve kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët përmes një deklarate të Ambasadës së SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe delegacionit të BE-së në Podgoricë, dërguan mesazhin se gjuha e urrejtjes dhe fyerjet ndaj pakicave nuk përkojnë në standardet demokratike.

Pas kësaj, ndryshoi plani i “revolucionarëve të rinj”.

Sipas informacioneve të ‘Pobjeda’, mbrëmjen e së dielës në kabinetin e Krivokapiçit në rrugën Karagjorgjeva është mbajtur një mbledhje, e cila për nga përbërja ka qenë e ngjashme me atë pas mesnatës së 5 shtatorit, para zbritjes në fron të kreut të Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, Joanikije Miqoviç në Cetinje. I cili u dërgua atje me kallashikovët e forcave speciale të policisë malazeze.

Edhe përbërja ishte e ngjashme, vetëm se përveç kryeministrit Krivokapiq, drejtorit të ANB-së Vukshiç, ministrave Milojko Spajiç dhe Jakov Milatoviç, Olivera Injac, Vesna Bratiç, deputetit Marko Milaçiç dhe gruas së tij Zhana, në “shtabin operativ” ishin edhe njerëz nga Serbia.

Në këtë mbledhje, siç thekson ‘Pobjeda’, u mor një vendim strategjik se si do të vazhdohej ngritja e logjistikës mediatike për të shoqëruar tubimet protestuese, përfshirja e drejtpërdrejtë e kishës serbe në sulmet ndaj pakicave dhe mbrojtja e qeverisë së Krivokapiçit.

Njerëzit në mbledhje kërkuan ndërhyrjen direkte të spinazhit serb, përkatësisht strukturave diversioniste.

Mediat malazeze, raportuan të hënën se një person i paidentifikuar me dy shoqërues, po ashtu të panjohur, ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë dhe ka qëndruar gjatë në zyrën e Krivokapiçit, nën masa të forta sigurie.

Është e vështirë të ruhet fshehtësia në shtetin e vogël të Malit të Zi, veçanërisht kur tensionet janë rritur dhe aleatët e armiqtë po monitorohen nga afër.

Pasditen e së njëjtës ditë, mediat informuan se me ftesë të Krivokapiçit, në Podgoricë ka mbërritur skuadra e Predrag Leçiç, një njeri i specializuar në fushatat mediatike për “goditje poshtë brezit”.

Ndërkaq, qendra shkencore e policisë malazeze për luftën digjitale bënte të ditur se ka pasur një sulm të fortë nga Beogradi.

Leçiç ka qenë aktiv edhe në fushatën elektorale për zgjedhjet e vitit 2021, të cilat u drejtuan faktikisht nga Mitropoliti Amfilohije Radoviq, i cili pak muaj më pas u nda nga jeta si pasojë e Covid- 19.

Mladjan Gjorgjeviç, një tjetër aktor prezent sot në sulmin ndaj Dritan Abazoviq, ka qenë këshilltar i ish-presidentit serb Boris Tadiq dhe më pas ka krijuar marrëdhënie mjaft intensive me shumë politikanë malazezë.

Gjorgjeviç, siç shkruan Portali ‘Analitika’, ishte zëvendësministër në Qeverinë e Vojisllav Koshtunicës, por edhe mik dhe kumbar i Dragan Gjilasit-shefit të opozitës serbe.

Mediat në Serbi e përshkruajnë atë si një të djathtë dhe një “nacionalist të vështirë, një person me lidhje të mira në Rusi dhe pjesë e Kishës Ortodokse Serbe”.

Siç bën të ditur ‘Pobjeda’, nuk është rastësi që papritmas Mitropolia e kryesuar nga Joaknije, edhe pse u betua “se nuk dëshiron të ndërhyjë në politikë”, kundërshtoi drejtpërdrejtë idenë e krijimit të një qeverie të pakicës dhe inkurajoi mbijetesën e Krivokapiçit, duke deklaruar se duhet ruajtur “vullneti i popullit të zgjedhjeve të 30 gushtit”.

Dy ditë më vonë, kryeministri Krivokapiç befas u bë gati për të nënshkruar një marrëveshje themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Ndërkaq, ‘Pobjeda’ thekson se Krivokapiç ka kërcënuar  të gjithë të punësuarit në dogana, polici, apo struktura të tjera qeveritare se nëse mbështesin shkarkimin e tij, ata do të largohen nga puna.

Ndërkaq, të hënën, bordi kryesor i URA i dha mandat të plotë kreut të saj Dritan Abazoviq që të nisë negociatat për formimin e qeverisë së re.

(Kosova Sot Online)