
Sërish dështon gjykimi ndaj noterit që akuzohet se kishte shpall trashëgimtar nipin e jo fëmijët e trashëgimlënësit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sërish ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj noterit Sinan Visoka, i cili së bashku me të akuzuarin Lirim Mustafa, në bashkëkryerje po akuzohen për keqpërdorim detyre dhe mashtrim.
Kjo pasi që ka munguar anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Visoka në cilësinë e noterit dyshohet se kishte shpallur trashëgimtar nipin e jo fëmijët e trashëgimlënësit, ndërsa i akuzuari Mustafa po akuzohet për veprën penale të mashtrimit në bashkëkryerje me Visokën.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj Hyseni ka bërë të ditur se gjykatësi Syla për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë prezent në seancën e së martës.
Meqenëse nuk kishte kushte për tu mbajtur ky gjykim, seanca e radhës në këtë rast është caktuar për 15 mars 2022.
Ndryshe edhe seanca e kaluar e 17 dhjetorit 2021 kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së dëshmitarëve.
Sipas aktakuzës së ngritur me 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka më cilësinë e noterit me 15 shkurt 2016, në zyrën e tij në rrugën “Lordi Bajron”, në Podujevë, kishte përpiluar aktvendim mbi shqyrtimin e trashëgimisë pa prezencën e trashëgimtarëve ligjor Gazmend, Blerim, Skender, Azem, Rizah Mustafa dhe Nexhije Demiri, të trashëgimlënësit Rexhep Mustafa.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Visoka kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit Rexhep Mustafa për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjor të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror.
Ndërsa i akuzuari Lirim Mustafa po dyshohet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, iu kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve, të cilin i akuzuari Visoka e kishte shpallur trashëgimtar.
Pas këtyre, dy të akuzuarit me 15 shkurt 2016, e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Prishtinës, e cila e kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin e kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarit Lirim Mustafa, ku paluajtshmëria në sipërfaqe prej 993 m2, kishte kaluar në emër të tij.
Për këto veprime Visoka po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në bashkëkryerje më të akuzuarin Lirim Mustafa edhe për veprën penale “mashtrimi”.
(Kosova Sot Online)