Komandanti i stacionit policor në Gjakovë dhe tre policë mohojnë se keqtrajtuan dhe rrahën të dëmtuarin në stacion

  • A.P /
  • 01 February 2022 - 17:34
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë dhe tre policë mohojnë se keqtrajtuan dhe rrahën të dëmtuarin në stacion

Komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe zyrtarët policorë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi, janë deklaruar të pafajshëm në rigjykim, ku ata po akuzohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndërsa, i akuzuari Milot Ukaj e ka pranuar fajësinë në mënyrë të pjesshme, andaj e njëjta i është refuzuar.

Një deklaratë të tillë, të akuzuarit e kanë dhënë në seancën e të martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe zyrtari tjetër policor, Shaban Limanaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Limanaj, avokati Ymer Huruglica në fillim të shqyrtimit gjyqësor ka deklaruar që sa i përket të akuzuarit Shaban Limani, i njëjti e ka pranuar fajësinë dhe është shpallur fajtor më aktgjykimin e kësaj gjykate.

I njëjti ka vazhduar duke thënë se rekomandimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë lidhur me veprimet që duhet të merren nga gjykata e shkallës së parë në riprocedurë, nuk kanë të bëjnë me të akuzuarin Limani dhe për mbrojtjen aktgjykimi i shkallës së parë është i plotfuqishëm.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi i ka njoftuar palët se me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, lënda është kthyer në rigjykim në tërësi, pa e precizuar saktë edhe të akuzuarin Shaban Limani.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu, të akuzuarit Kristë Gjokaj dhe zyrtarët policorë, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa i akuzuari Milot Ukaj e ka pranuar fajësinë në mënyrë të pjesshme.

Ndërsa, i akuzuari Shaban Limani ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, ashtu si në seancat e kaluara.

Prokurori Spahiu ka deklaruar që sa i përket të akuzuarit Milot Ukaj, konsideron se është pranim i pjesshëm i fajësisë, ndërsa në raport me të akuzuarin Shaban Limani, meqë e ka pranuar fajësinë njëjtë sikurse në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, tha se mbetet pranë fjalëve të thëna të mëhershme.

I njëjti ka propozuar që të pranohet fajësia e të akuzuarit Shaban Limani.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Thaçi ka refuzuar pranimin e pjesshëm të fajësisë të akuzuarit Milot Ukaj, ndërsa ka aprovuar pranimin e fajësisë të akuzuarit Shaban Limani për shkak se pranimi i fajësisë është i plotë si në përshkrimin dhe kualifikimin juridik të aktakuzës.

Meqë trupi gjykues ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Shaban Limani, gjyqtari Thaçi ka njoftuar se shqyrtimi gjyqësor vazhdon me të akuzuarit, të cilët nuk e kanë pranuar fajësinë, ndërsa nga shqyrtimi gjyqësor është liruar i akuzuari Shaban Limani dhe mbrojtësi  i tij dhe të njëjtit do të njoftohen vetëm për fjalët përfundimtare.

Në fjalën hyrëse, prokurori Spahiu ka thënë se mbetet pranë të thënave më 10 dhjetor 2020.

Po ashtu, edhe mbrojtësit e të akuzuarve kanë mbetur në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të 10 dhjetorit 2020.

Deklarimin e mbrojtësve në tërësi e kanë mbështetur të akuzuarit Kristë Gjokaj dhe zyrtarët policorë, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve, meqë rast dëshmitarët Rizë Shala  Domë Biblekaj, Hysni Morina dhe Esat Deva kanë  thënë se mbeten në tërësi pranë deklaratave të dhëna si në prokurori, ashtu edhe në shqyrtim gjyqësor të 28 janarit 2021 dhe nuk kanë shtuar asgjë.

Po ashtu, edhe dëshmitari Ibër Elezaj ka thënë se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në prokurori dhe në shqyrtim e mëhershëm gjyqësor, i njëjti ka shtuar se nuk e ka parë të akuzuarin Kristë Gjokaj që e ka goditur të dëmtuarin Muhamer Arifi.

Edhe dëshmitari Gjokë Gjidodaj po ashtu ka deklaruar që lidhur me këtë rast ka dhënë deklaratë në polici dhe në prokurori dhe mbetet pranë deklaratave të njëjta.

Dëshmitari Gjidodaj ka shtuar se kur e kanë sjellë të dëmtuarin në stacion bashkë me oficerin Rizë Shalaj, komandanti i stacionit, i akuzuari Kristë Gjokaj nuk ka pasur kontakt me të dëmtuarin Muhamer Arifi.

Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Rasim Dushi, i cili ka thënë se lidhur me rastin ka dhënë deklarata në polici dhe në shqyrtimin gjyqësor.

I njëjti ka shtuar se në natën kritike ka qenë në dhomën ku ka qenë në ndalim i dëmtuari dhe se në natën kritike nuk ka vërejtur asgjë sa i përket goditjeve nga ana e policëve në drejtim të dëmtuarit dhe nëse do ta kishte vërejtur do t’i kishte shfrytëzuar kompetencat e tij ligjore.

Po ashtu, edhe dëshmitari Gazmir Laski ka thënë se mbetet pranë deklaratave të dhëna në prokurori dhe në shqyrtimin gjyqësor.

I njëjti ka shtuar se është e vërtetë se në momentin e arrestimit, i dëmtuari ka pasur në fytyrë në anën e majtë afër syrit mavijosje dhe gjak.

Dëshmitari Argjend Qehaja ka thënë se mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

I njëjti ka shtuar se të dëmtuarin Muhamer Arifi e ka takuar në stacionin policor në korridor, e ka vërejtur se i njëjti ka qenë i lënduar në pjesët e dukshme të fytyrës si dhe në dorë.

“Unë në stacion kam qëndruar 15 minuta dhe gjatë kësaj kohe tani të akuzuarit nuk i kam parë”, ka thënë i dëshmitari Qehaja.

I njëjti ka shtuar se kur ka shkuar, të dëmtuarin e ka parë në dysheme, ka qenë i shtrirë dhe shtoi se sa i kujtohet ka qenë me gjoks për toke dhe ka qenë i prangosur prapa.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Gëzim Nasufi, i cili po ashtu ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna më herët, duke shtuar se bashkë me shefin e Departamentit të Hetimeve në IPK dhe me kryeprokurorin e Gjakovës tanimë të ndjerin Ali Selimi, i kanë shikuar video-incizimet të cilat janë prezantuar në gjykatë.

Dëshmitari Nasufi ka thënë se nuk ka pasur arsye për të marrë urdhër nga prokuroria për kompetencat që ia ka dhënë Kodi i Procedurës Penale.

Sipas tij, para rastit as pas rastit në fjalë nuk ka ndodhur që të kërkojë urdhër nga Prokuroria për sigurimin e provave, në rastin konkret nxjerrjen e video-incizimeve dhe shtoi se nuk ka ndonjë incizim tjetër përpos atyre që gjenden në shkresat e lëndës.

“Video-incizimet dhe fotot e nxjerra e kanë pasqyruar gjendjen reale për çdo dyshim për goditje, keqtrajtim, kapje për fyti për neve janë konsideruar si veprime të paligjshme, veprime këto të cilat janë sqaruar në mënyrë kronologjike në kallëzim penal”, ka shtuar dëshmitari Nasufi.

Tutje, mbrojtësit e të akuzuarve dhe prokurori i Isufi i kanë propozuar gjykatës që i dëmtuari Muamer Arifi në seancën e radhës të ftohet sërish, gjegjësisht të lëshohet urdhërarrest për të njejtin.

Në këto rrethana, seanca e radhës është caktuar më 24 shkurt.

Ndryshe, lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me ankesë të Prokurorit të Shtetit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 nëntor 2020, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe zyrtarëve policorë, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, duke i ngarkuar ata me veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”.

Ndërsa, zyrtarin përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, Shaban Limanaj, Prokuroria në Gjilan po e ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe zyrtarët tjerë policorë po akuzohen në lidhje me keqtrajtimin e një të dyshuarit në qendrën e ndalimit në Gjakovë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kristë Gjokaj po akuzohet se duke qenë në pozitën e komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë, më 14 nëntor 2018, rreth orës 2:15, në objektin e Stacionit Policor në Gjakovë, në korridorin e katit përdhese, ka keqtrajtuar tani të dëmtuarin Muhamer Arifi nga Prishtina, në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, sipas rasteve në Polici 2018-EA-1248 dhe 2018-HRGJ-60, i pandehuri i afrohet të dëmtuarit, i cili ishte i ulur në karrige dhe e godet me grusht dore në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, ndërsa të pandehurin e largon nga i dëmtuari zyrtari policor, Gjokë Gjidoda.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj po akuzohen se gjatë detyrës së tyre zyrtare si zyrtarë policorë, në vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të aktakuzës, kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Arifi, në atë mënyrë që derisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale sipas rasteve në Polici 2018-EA-1248 dhe 2018-HRGJ-60, të pandehurit me qëllim që nga i njëjti të nxjerrin informacione për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale sipas dy rasteve të përmendura.

Tutje thuhet se fillimisht aty rreth orës 02:08, i pandehuri Milot Ukaj të dëmtuarit ia lëshon në sy dritën e baterisë dhe më pas i afrohet dhe fillon ta godasë me duar dhe këmbë, nga të cilat goditje i dëmtuari rrëzohet në dysheme.

Sipas aktakuzës, më pas ndërhynë zyrtari policor Ibër Elezaj dhe e largon të pandehurin nga i dëmtuari, por që ky i pandehur përsëri rreth orës 02:32, sërish vjen tek i dëmtuari dhe të dëmtuarin i cili ishte me pranga e kapë për fyti dhe e godet në mënyrë të vazhdueshme disa herë, përsëri e largon nga i dëmtuari zyrtari policor Ibër Elezaj, por që prapë rreth orës 02:33, i pandehuri e sulmon në të njëjtin vend të dëmtuarin, i cili nga sulmi mbetet i shtrirë në tokë me fytyrë kah dyshemeja.

Aktakuza thotë se rreth orës 02:36, tek i dëmtuari vjen i pandehuri Bekim Preqi dhe i njëjti bashkë me Milot Ukajn përsëri e godasin me grushte dore të dëmtuarin, i akuzuari Preqi të dëmtuarin e godet edhe në këmbën e djathtë disa herë në trup, ndërkaq rreth orës 04:24 tek i dëmtuari përsëri vijnë të pandehurit Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, dhe me këtë rast i pandehuri Milot e kapë për fyti të dëmtuarin e pastaj së bashku me Gëzimin dhe Agronin e godasin me grushte dore dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i dyshuari Milot e godet me shqelm të dëmtuarin edhe në organin gjenital, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore, për çka dërgohet më vonë për ndihmë mjekësore.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Shaban Limanaj, thuhet se duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit policor në Gjakovë, me datë dhe vendin e përshkruar si më lartë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që aty rreth orës 04:24 u ka mundësuar të pandehurve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari Muhamer Raifi, i ndaluar dhe i prangosur për shkak të dy veprave penale, ku të njëjtit më pas e keqtrajtojnë duke e sulmuar fizikisht të dëmtuarin.

Për këtë, sipas aktakuzës, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi1 të Kodit Penal. 


(Kosova Sot Online)