Lajçak: Në dialog s’diskutohet statusi i Kosovës por raportet me Serbinë

  • E.K /
  • 02 February 2022 - 10:50
Lajçak: Në dialog s’diskutohet statusi i Kosovës por raportet me Serbinë

Emisari evropian, Miroslav Lajcak, tha sot para gazetarëve në Prishtinë se dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja nuk e negocion statusin e Kosovës por raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu nuk është për të negociuar statusin e Kosovës, dialogu është për të negociuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajcak.

Ai foli edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, teksa përmendi në konferencë, intervistën dhënë Express ku ka deklaruar se askush s’dëshiron një Republika Srpska brenda Kosovës.

“Tema e Asociacionit është temë që diskutohet çdoherë, Kosova është një palë e barabartë në dialog, që do të thotë se asgjë s’do të imponohet për Kosovën pa u pajtuar Kosova, kam dëgjuar shpesh që s’duam një tjetër Republika Srpska, kam qenë i qartë shumë herë përfshirë edhe intervistën e fundit se askush se do Republika Srpskan në Kosovë. Është një princip universal se çkado që është nënshkruar duhet të zbatohet këtë ua themi edhe në Kosovë edhe në Serbi”, ka thënë Lajcak.

(Kosova Sot Online)