Kryediplomatja britanike ia huq keq në gjeografi, Zakharova e Rusisë tallet me të

  • A.P /
  • 02 February 2022 - 16:01
Kryediplomatja britanike ia huq keq në gjeografi, Zakharova e Rusisë tallet me të

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, ka bërë një deklaratë me huqje të madhe në gjeografi. Ky rast nuk i iku zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Kryediplomatja britanike tha se Britania do t’u dërgojë furnizime “aleateve baltike matanë Detit të Zi”. Vendet baltike quhet kështu për shkak të daljes që kanë në Detin Baltik, që ndodhet shumë larg Detit të Zi.

Për të tërhequr vijë të drejtë mes Britanisë së Madhe dhe Detit Baltik ose shteteve baltike, nuk nevojitet të kalohet mbi Detin e Zi, i cili ndodhet në një pjesë krejt tjetër – mes Ballkanit lindor, Ukrainës, Rusisë e Turqisë.

“Zonja Truss, dituria jote në histori nuk është asgjë në krahasim me diturinë tënde në gjeografi. Nëse ndokush duhet të shpëtohet nga ndonjë gjë, është bota, nga budallallëku dhe injoranca e politikanëve britanikë”, shkroi në një blog zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

(Kosova Sot Online)