Peci kapet me Mustafën, e quan shërbëtor të bandave politike: E shpëtuam vendin nga soji yt

  • E.K /
  • 03 February 2022 - 12:03
Peci kapet me Mustafën, e quan shërbëtor të bandave politike: E shpëtuam vendin nga soji yt

Ministri i Bujqësisë nga Lista “Guxo”, Faton Peci i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, pas paraqitjes së ish-ktryetarit të LDK-së mbrëmë.

Peci tha se ndihen krenarë që Mustafën e kanë “arkivuar politikisht”, ndërsa ish-shefin e tij në LDK e konsideroi shërbëtor të bandave politike.

“Isa Mustafën as pensionimi politik nuk po e lë të qetë. Rri i qetë dhe mos pështyj e ofendo në mediume, sepse vetëm sa na e rritë krenarinë që ty dhe shokëve të tu, ju kemi arkivuar politikisht, e kemi shpëtuar vendin nga soji i shërbëtorëve të bandave politike”, ka shkruar ai.

Sipas ministrit, Mustafa nuk mund të mbajë leksione për politikbërje.

“Kohën për mendime politike e ke harxhuar tashmë, me një fund të palavdishëm. Nuk je model që mund të mbash leksione për politikbërjen e as për vizionin e këtij vendi. E kuptoj ndërgjegjen e vrarë për dëmin që i keni shkaktuar vendit me aleatët tuaj tradicional, porse nuk e kuptoj turrin tënd që të mbash moral politik. Disa i mbanë mend historia për veprat, disa për turpin. Të parat ta kanë destinuar vendin e dytë!”, ka shkruar Peci.

Mustafa mbrëmë ka qenë në T7, ku ka dhënë një intervistë. Aty ka folur për rrethanat aktuale politike, por edhe për të kaluarën.

(Kosova Sot Online)