Dialog me Serbinë po pa status të shtetit në veri

Dialog me Serbinë po pa status të shtetit në veri
Dialog me Serbinë po pa status të shtetit në veri

Muhamet Kelmendi

  • 03 February 2022 - 08:05

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, me vizitat që u zhvilluan nga i deleguari amerikan, z. Gabriel Eskobar dhe përfaqësuesi i BE-së, z.Miroslav Lajçak, ka marrë një shtytje të fortë. Ajo që del nga vizita është se pa dialog nuk ka të ardhme as Kosova dhe as Serbia në kuadër të integrimeve euroatlantike. Kjo në njërën anë dhe në anën tjetër, doli sheshit se SHBA-të e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe me këtë nuk ka asnjë mundësi të zhbërjes së shtetësisë.

Nga qëndrimi treditor në Kosovë dy zyrtarëve të lartë nga SHBA dhe BE, Escobar dhe Lajçak, u pa se SHBA-të angazhohen për tërë Ballkanin Perëndimor dhe të tërin e duan të integruar në kuadër të BE-së, jashtë ndikimeve ruse. Gjendja në mes Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar që edhe intervenimet të jenë të ashpra. Tash e tëra varet nga pala serbe. Shpresohet se presioni për nëe Ballkan paqësor në Beograd do ta shtyje shtetin serb në një politikë pragmatiste e jo shoveno-raciste që është karakterizuar me sjelljet e deritashme . Qëllimi i Serbisë aktualisht është Asociacioni i komunave serbe me pushtet ekzekutiv ose ndarja e Kosovës. Serbia po armatoset dhe gjendjen në mes Ukrainës dhe Rusisë, sidomos nëse bëhet invazion ushtarak rus, mund ta shfrytëzon edhe për të sulmuar Kosovën.

Ky skenar është i mundshëm. Kosova e ka një bazë të forte te dialogimit. SHBA-të kanë dalë hapur në anën e ruajtjes së tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të Republikës. Veç kësaj është edhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e Komunave serbe. Këto dy baza janë fakte se në Kosovë mund të krijohet një shoqatë serbe, pa kompetenca ekzekutive dhe juridike e legjislative. Është mirë që vetë qeveria e Kosovës të nxjerr një statut mbi këtë shoqatë si formë të platformës së dialogimit. Dhe, këtu çdo herë duhet të vjen në shprehje reciprociteti. Dialogohet me shtetin serb për minoritetin serb në Republikën e Kosovës, por edhe Kosova e ka një minoritet në Luginën e Preshevës dhe një interes të lartë në Sanxhak. Reciprociteti është parim ndërkombëtar dhe këtu nuk ka mundësi askush që të kërkoj nga Kosova mos zbatimin e kësaj rregulle diplomatike. Mbi këtë paraqitet edhe një statut për Luginën e Preshevës. Hiq më shumë as më pak se për minoritetin serb në Kosovë. Kërkohet domosdo një barazim i këtyre dy çështjeve në dialogim. Kjo është dhe mbetet prioritet në raport me shtetin serb.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".