
Hoti: Pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve, s'ka marrëveshje finale me Serbinë

1617 persona në Kosovë ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit.
E, familjarët e tyre ende janë në ankth tash e më shumë se dy dekada, duke mos pasur informacione për më të dashurit e tyre.
Ata në vazhdimësi po kërkojnë që kjo çështje të marr epilog dhe presioni ndaj Serbisë të shtohet.
Kërkesë të ngjashme ka edhe kryetari i delegacionit të Kosovës për personat e pagjetur në bisedime me Serbinë, Andin Hoti.
Ai në një intervistë për FrontOnline deklaron se nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë dëshiron që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet mes vete duhet ta zgjidhin këtë çështje.
Ndryshe, sipas tij, nuk do të ketë fare normalizim.
“Nëse Bashkimi Evropian është i interesuar që Kosova dhe Serbia të shkojë drejt drejtimit të normalizimit të marrëdhënieve. Serbia duhet të jetë e gatshme të pranoj krimet e saj që i ka bë, Serbia duhet të jetë e gatshme që së paku pas 22 viteve ta lë politikën anash në fatin e personave të zhdukur dhe të tregojë dhe të ndalë krimet e shumëfishta që po i bën sepse fatkeqësisht Serbia po vazhdon të bëj krime ndaj fatit të personave të zhdukur duke mos treguar informacione se ku janë, dhe Serbia duhet t’i ndalë këto, përndryshe as Kosova dhe as Serbia nuk mund të kenë normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë ai.
Marrëveshja finale me Serbinë nuk mund të arrihet pa u zgjidhur çështja e personave të zhdukur.
Dhe, këtë e ka thënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
(Kosova Sot Online)