Haxhiu: Drejtësia për viktimat e masakrës në veri të Mitrovicës ende mungon

  • A.P /
  • 03 February 2022 - 20:06
Haxhiu: Drejtësia për viktimat e masakrës në veri të Mitrovicës ende mungon

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar viktimat e masakrës së 3-4 shkurtit 2000, në veri të Mitrovicës, ku u vranë 10 qytetarë civilë të pafajshëm shqiptarë, mes tyre edhe fëmijë, gra e pleq.

Haxhiu ka thënë se edhe pas më shumë se dy dekadash nga kjo ndodhi, drejtësia për viktimat e kësaj masakre ende mungon, ndërsa familjet e dëbuara ende nuk kanë arritur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ajo ka thënë se në natën e 4 shkurtit, 1600 familje e 12 mijë shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre me qëllim të spastrimit etnik.

“Kjo masakër është dëshmi e asaj se krimet kundër shqiptarëve vazhduan edhe pas përfundimit të luftës. Dy dekada pas luftës, drejtësia për viktimat e kësaj masakre ende mungon përderisa familjet e dëbuara ende nuk kanë arritur të kthehen në shtëpitë e tyre. Ne bashkëndjejmë me dhimbjen e të gjitha familjeve të viktimave të cilat ende nuk kanë arritur të marrin drejtësinë e merituar, përderisa mbetemi të përkushtuar në sjelljen e drejtësisë për ta”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

(Kosova Sot Online)