Serbia bindi 16 kongresistë t’i shkruajnë Bidenit në favor të saj

  • A.P /
  • 06 February 2022 - 15:35
Serbia bindi 16 kongresistë t’i shkruajnë Bidenit në favor të saj

Përderisa në Kosovë po bëhet një luftë e paparë mes akterëve politikë dhe vendi ka diplomacinë më të dobët që mbahet mend ndonjëherë, Serbia i ka bindur 16 kongresistë që t’i shkruajnë presidentit amerikan, Joe Biden, në favor të saj.

Një letër e publikuar gjatë mbrëmjes së të shtunës, e nënshkruar nga 16 kongresistë, ka bërë që gjithë mediat serbe të lavdërohen për miqësinë e pretenduar 140 vjeçare me SHBA-në.

16 kongresistët e kanë lutur presidentin Biden që t’i thellojë edhe më shumë lidhjet mes SHBA-së dhe Serbisë.

Letra, e cila përmban rreth një mijë fjalë, përbëhet nga lëvdata të mëdha që Serbia i ka bërë vetvetes dhe lidhjes së saj me SHBA-në, duke përmendur këtu edhe një veprim të ish-presidentit amerikan, Woodrow Wilson.

“Që ta tregojë solidaritetin amerikan me Serbinë, presidenti Woodrow Wilson kishte ngritur flamurin serb mbi Shtëpinë e Bardhë. Siç kishte thënë pas këtij veprimi Presidenti Wilson, “Përderisa territori i tyre është shkatërruar dhe shtëpitë e tyre janë prishur, shpirti i serbëve nuk është thyer”, thuhet në këtë letër.

Kjo deklaratë e nënshkruar është bërë duke u thirrur në një aleancë të afërt të Serbisë dhe SHBA-së gjatë luftës së Parë Botërore dhe luftës së Dytë Botërore, ku pretendohet se kishin luftuar krah për krah që ta mbrojnë Evropën dhe botën.

Serbia lobimin e saj e ka vazhduar edhe në një aspekt tepër të rëndësishëm për SHBA-në, duke pretenduar se ka pasur rritjen ekonomike më të madhen në Evropë.

“Ekonomikisht, Serbia ka rritjen më të madhe në Evropë dhe papunësia është ulur përgjysmë që nga viti 2012… Kompanitë amerikane kanë kontribuuar në suksesin e ekonomisë serbe me rreth 4 miliardë investime, që kanë të punësuar mbi 20.000 persona përgjatë vendit. Këto kompani përfshijnë NCR, Ball Packaging, Coca-Cola, Microsoft, Oracle, Fis, IBM”, thuhet në këtë letër.

(Kosova Sot Online)