Imazhet satelitore zbulojnë lëvizjet e reja të Rusisë drejt Ukrainës, Putini mund të urdhërojë pushtimin

  • A.P /
  • 07 February 2022 - 17:00
Imazhet satelitore zbulojnë lëvizjet e reja të Rusisë drejt Ukrainës, Putini mund të urdhërojë pushtimin

Imazhet e reja satelitore të marra nga CNN tregojnë se një bazë e madhe që përmban tanke ruse, artileri dhe mjete të tjera të blinduara pranë kufirit me Ukrainën është kryesisht e zbrazur dhe pajisjet me sa duket janë zhvendosur shumë më afër kufirit.

Baza është në Jelnja, në juglindje të qytetit të Smolensk dhe rreth 418 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Sasi të mëdha armësh u zhvendosën atje në fund të vitit 2021, duke përfshirë rreth 700 tanke, automjete luftarake dhe lëshues raketash balistike.

Shumica e këtyre pajisjeve tani mungojnë, sipas imazheve satelitore të marra më 6 shkurt. Në foto shihen gjurmët e automjeteve që po largohen.

Konrad Muzyka, ekspert për monitorimin e lëvizjeve ushtarake në Rochan Consulting, thotë se ajo që ndodhi në Jelnja është një nga disa “ndryshimet e rëndësishme në përbërjen e forcave ruse dhe vendndodhjet e tyre”.

“Ne po hyjmë në një fazë të re ku shohim njësitë e para-pozicionuara duke u mbushur me staf shtesë dhe se pajisjet ka të ngjarë të zhvendosen”, shtoi ai.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan tha së fundmi se ka shumë mundësi që presidenti rus Vladimir Putin të lëshojë urdhër për një sulm mbi Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë i thanë CNN gjatë fundjavës se Putin tani i ka mbledhur 70 për qind të personelit ushtarak dhe armëve që do t’i nevojiteshin për një pushtim në shkallë të plotë në kufijtë e Ukrainës.

(Kosova Sot Online)