
Për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës – çfarë tha ministria kur njoftoi nisjen e punëve

Shtëpia e politikanit shqiptar nga Mitrovica, Xhafer Deva është bërë çështje gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë ka dalë kundër këtij restaurimi duke e rikujtuar se Deva ka qenë kolaboracionist i nazistëve. Por, restaurimi ka një javë që ka nisur dhe ai mbështetet edhe nga paratë e Bashkimit Evropian, pjesë e së cilit është edhe Gjermania.
Të martën e javës që shkoi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njoftoi për nisjen e punëve në restaurimin e atij objekti, i cili parashihet të kryhet në fund të vitit. Restaurimi u tha se po bëhet në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, i cili financohet edhe nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së, përveçse nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde konsideron se restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës e shtrembëron të vërtetën mbi Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. S’ka zbardhje të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, ka shkruar Rohde.
Shtëpia e Xhafer Devës u vlerësua si një prej objekteve më të veçqanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila më 2 shkurt njoftoi për nisjen e punëve për restaurimin e saj.
“Gjatë ditës së djeshme filluan punimet restauruese në Shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë. Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin”, u tha në njoftimin e Ministrisë.
MKRS theksonte elementet arkitekturore të këtij objekti, që konsiderohet ndër shtëpitë e para të këtij stili në Kosovë.
“Për nga stili i ndërtimit, kjo shtëpi i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe shquhet me elemente të shumta dekoruese në pjesën e jashtme. Si e tillë kjo është një ndër shtëpitë e para të këtij stili në Mitrovicë dhe Kosovë. Stili i ndërtimit të kësaj shtëpie, paraqet kthesë radikale të kalimit nga ndërtimi i objekteve me ndikim të arkitekturës të stilit oriental, në ndërtim të objekteve me stil të arkitekturës moderne europiane”, u tha në njoftim.
Procesi i restaurimit planifikohet që t’i përfshijë ndërhyrjet në pjesën e jashtme dhe të brendshme të objektit. Brendësia e kësaj shtëpia, sipas MKRS-së, do të revitalizohet dhe përdoret si hapësirë komunitare për aktivitete kulturore në katin përdhes, ndërsa kati i parë dhe i dytë janë planifikuar të shërbejnë për zyrën e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.
(Kosova Sot Online)