Mjeku i tre presidentëve i kërkon Bidenit ta bëjnë testin kognitiv: “Po na tregon se diçka s’është në rregull”

  • G.G /
  • 09 February 2022 - 13:30
Mjeku i tre presidentëve i kërkon Bidenit ta bëjnë testin kognitiv: “Po na tregon se diçka s’është në rregull”

Mjeku i ish-presidentit Donald Trump në ShBA, Ronny Jackson, dhe dhjetëra ligjvënës republikanë i kanë bërë thirrje presidentit 79-vjeçar amerikan, Joe Biden, që ta bëjë testin kognitiv, duke e ndjekur shembullin e paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Jackson e udhëhoqi letrën me 37 kolegë të Partisë Republikane dërguar Bidenit të martën, në të cilën ata shprehën “shqetësim për gjendjen e tanishme kognitive (njohëse) të Bidenit”, shkruan Fox News.

“Kolegët e mi dhe unë përsëri po i kërkojmë Presidentit Biden që t’i nënshtrohet një testimi formal të njohjes, si Vlerësimi i Montrealit për Njohjen (MOCA)”, tha Jackson përmes një dërgese elektronike për “Fox Neës Digital”.

“Si ish—mjek i tre presidentëve të Shteteve të Bashkuara, e di çfarë nevojitet mendërisht dhe fizikisht për t’i ekzekutuar detyrat e komandantit suprem dhe kreut të shtetit. Joe Biden vazhdimisht na ka dëshmuar mua dhe botës se diçka nuk është në rregull. Populli amerikan meriton që të ketë besim absolut në aftësinë njohëse të Presidentit”, tha më tej Jackson.

Sipas tij, “testi kognitiv do të jetë një hap i parë i rëndësishëm” për t’i risiguruar amerikanët se presidenti është i përshtatshëm për zyrë ose “për identifikimin e trajtimin e duhur të simptomave të dëmtimit, që janë në përputhje me një varg sëmundjesh kognitive, si Alzheimeri, demenca vaskulare, Parkinsoni ose skleroza e shumëfishtë”, thuhet në letrën e ish-mjekut të Trumpit.

Ai tha se ish-presidenti Trump ishte i gatshëm që ta siguronte popullin amerikan. “Pse Presidenti Biden nuk do ta bënte të njëjtën? Ne vetëm mund ta supozojmë më të keqen, nëse ai nuk i nënshtrohet standardit të njëjtë, të cilin partia e tij e kërkoi nga administrata e kaluar”, tha mjeku.

“Derisa ju iu nënshtruat ekzaminimit fizik vjetor më 19 nëntor 2021, ju ose nuk jeni përballur me test kognitiv ose ato rezultate janë tërhequr nga publiku”, thuhet në letër, duke shtuar se derisa mjeku i tanishëm i presidentit i ka dhënë vlerësim pozitiv fizik Bidenit, ligjvënësit “janë të shqetësuar për aftësitë tuaja mendore”.

Ligjvënësit thanë se, sipas Shoqatës së Alzheimerit, në mesin e simptomave të sëmundjes janë “ndryshimet në disponim dhe personalitet, përfshirë zemërimin më të lehtë” si një nga dhjetë shenjat e rënies së gjendjes mendore.

Ligjvënësit ia përmendën Bidenit rastin e 24 janarit të këtij viti, kur ai, qartazi duke menduar se e ka mikrofonin të ndalur, e quajti një gazetar “i biri budalla i kur***”, kur gazetari i bëri një pyetje për inflacionin.

(Kosova Sot Online)