Shteti evropian, fqinj i Rusisë, i kërkon ShBA-së prani të përhershme të trupave

  • A.P /
  • 09 February 2022 - 16:11
Shteti evropian, fqinj i Rusisë, i kërkon ShBA-së prani të përhershme të trupave

Lituani do të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara që të vendosë trupa në mënyrë të përhershme në territorin e saj për ta përforcuar sigurinë, tha të mërkurën presidenti i shtetit të vogël baltik, Gitanas Nauseda.

Ai e dha këtë njoftim e mirëpriti grupin e ri të grupit luftues të NATO-s, të udhëhequr nga Gjermania, të angazhuar në vitin 2017, dhe së shpejti do të përfshijë 350 trupa gjermane shtesë si reagim ndaj grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës.

Që nga viti 2019, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur grupe të veta prej rreth 500 ushtarësh dhe pajisje në Lituani, duke i shtuar përpjekjet e NATO-s për ta parandaluar Rusinë nga rajoni i brishtë lindor.

“Natyrisht se do të flasim me Shtetet e Bashkuara për t’u siguruar që forcat amerikane me rotacion të jenë në Lituani në mënyrë të përhershme. Kjo do të ishte shtytja më e mirë për sigurinë dhe mbrojtjen që NATO-ja do të mund t’ia ofronte jo vetëm Lituanisë, por tërë rajonit”, deklaroi presidenti lituan.

Kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s tha të hënën se aleanca do të vendosë trupa në vendet baltike dhe në Poloni, nëse forcat ruse nuk largohen nga Bjellorusia pas ushtrimeve të planifikuara ushtarake me ushtrinë bjelloruse.

Holanda tha të mërkurën se do t’i shtojë trupat e saj në grupin luftues të NATO-s nga 270 në 350 ushtarë. Ky grup dhe tri njësi tjera të ngjashme të NATO-s në Estoni, Letoni dhe Poloni ishin vendosur në atë pjesë të Evropës si reagim i aleancës ndaj aneksimit të Krimesë, territor i Ukrainës, nga Rusia më 2014.

(Kosova Sot Online)