Dy policë shpëtojnë nga ngulfatja një qytetar në Vushtrri

  • A.P /
  • 09 February 2022 - 18:50
Dy policë shpëtojnë nga ngulfatja një qytetar në Vushtrri

Siç njofton Policia, ngjarja ka ndodhur sot në orët e mesditës kur dy zyrtarë policorë kanë reaguar shpejtë pasi qytetarit iu përkeqësua gjendja shëndetësore.

Falë reagimit të tyre, qytetarit iu liruan rrugët e frymëmarrjes dhe gjendja e tij u stabilizua.

Qytetari i moshës rreth 60 vjeçar, ka falënderuar zyrtarët policor për ndihmën e dhënë.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia shpëton një qytetar nga ngulfatja

Vushtrri, 09 shkurt 2022

Falë reagimit të shpejtë të zyrtarëve policor, sot është shpëtuar nga ngulfatja një qytetar nga Vushtrria.

Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës, kur dy hetues të Sektorit Rajonal të Hetimeve, kanë vërejtur një person me gjendje të përkeqësuar shëndetësore të cilit iu kishin bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Reagimi i shpejtë i dy zyrtarëve policor ka bërë që qytetarit të i lirohen rrugët e frymëmarrjes, të shpëtohet nga ngulfatja dhe ta kthejnë në gjendje stabile.

Pas normalizimit të gjendjes shëndetësore – qytetari i moshës rreth 60 vjeçar, ka falënderuar zyrtarët policor për ndihmën e dhënë dhe veprimet e ndërmarra.

(Kosova Sot Online)