Pse po heziton Franca që ta përkrahë liberalizimin e vizave për Kosovën, flet ambasadorja Butel

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 14:20
Pse po heziton Franca që ta përkrahë liberalizimin e vizave për Kosovën, flet ambasadorja Butel

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine-Butel, në një intervistë për Express ka folur për qëndrimin e Parisit zyrtar sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët. Butel ka treguar se Franca bashkë me disa vende të tjera janë skeptike sa i përket heqjes së regjimit të vizave për Kosovën, dhe një skepticizëm i tillë ka treguar se buron nga frika e një migrimi që do të mund të shkaktohej.

Butel ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të dëshmojë që ka marrë masat e duhura për vënien në kontroll të rreziqeve të tilla.

“Në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, Komisioni i BE-së përcaktoi një listë të kritereve teknike të cilat konsideronte se ishin përmbushur nga Kosova dhe që, në të vërtetë, ishin bërë reforma të rëndësishme për ta arritur këtë. Ky hap është i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm. Në të vërtetë, duhet theksuar se vendimet për vizat me qëndrim të shkurtër dhe rrjedhimisht qasja në zonën Shengen janë të një natyre politike dhe, për këtë arsye, i përkasin qeverive të shteteve anëtare që takohen në kuadër të Këshillit të BE-së. Duhet saktësuar se ato vendime merren jo me konsensus, por me shumicë të kualifikuar, që do të thotë se vetëm një shtet nuk mund t’i bllokojë ato”, ka deklaruar Butel.

“Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, është e vërtetë se Franca është një nga shtetet, së bashku me disa tjera, e cila ka shprehur rezerva, sepse këto shtete janë të shqetësuara për rreziqet, veçanërisht ato të migrimit, që do të mund të shkaktohej. Prandaj, është e rëndësishme që Kosova të dëshmojë se janë zbatuar masa konkrete për vënien nën kotroll të këtyre rreziqeve dhe se janë arritur rezultate të prekshme, si në aspektin e parandalimit të migrimit të paligjshëm, ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të rënda”, ka shtuar tutje.

(Kosova Sot Online)