Pas shuarjes së adresave të banimit, pushteti i Vuçiqit heq edhe mbishkrimet shqip në Medvegjë

  • A.P /
  • 11 February 2022 - 19:11
Pas shuarjes së adresave të banimit, pushteti i Vuçiqit heq edhe mbishkrimet shqip në Medvegjë

Partia “SNS” në pushtet që drejtohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq po vazhdon t’i diskriminoj banorët shqiptarë të Komunës së Medvegjës.

Kjo po bëhet duke larguar në mënyrë sistematike emërtimet në gjuhën shqipe, nga të gjitha objektet.

Për një gjë të tillë ka reaguar aktivistja, Flora Ferati, e cila ka përmendur edhe shuarjen e adresave të banimit.

“Partia në pushtet SNS vazhdon t’i heqë tabelat dygjuhëshe në Komunën e Medvegjës. Gjuha shqipe po hiqet sistematikisht nga të gjitha shenjat e informacionit “, njofton aktivistja Flora Ferati-Sachsenmaier.

Nuk është hera e parë që pushteti i Vuçiqit hakmerret nga shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ku deri më tani janë pasivizuar mbi 6 mijë adresa.

Kohë më parë, disa asamblistë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut nga Medvegja i janë drejtuar me një letër Zyrës së OSBE’së në Serbi duke shprehur pakënaqësitë rreth shkeljeve nga Beogradi.

Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, derisa shqiptarët përsëri pritet të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore.

(Kosova Sot Online)