“Putin ka vendosur…”, gazeta gjermane nxjerr ditën kur Rusia pritet ta pushtojë Ukrainën

  • S.A /
  • 12 February 2022 - 08:29
“Putin ka vendosur…”, gazeta gjermane nxjerr ditën kur Rusia pritet ta pushtojë Ukrainën

Pushtimi i Ukrainës duket se është vetëm disa ditë larg. Mbrëmjen e kaluar, mediet botërore raportuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të pushtojë Ukrainën javën e ardhshme. Ndërkohë, gazeta e njohur gjermane “Der Spiegel” ka zbuluar edhe ditën, kur pritet të nisë lufta.

“Vladimir Putin ka vendosur ta pushtojë Ukrainën ditën e mërkurë”, kështu shkruan gazeta e njohur gjermane “Der Spiegel”.

Kujtojmë se një ditë më parë, SHBA dhe Britania e Madhe iu bënë thirrje shtetasve të tyre në Ukrainë që të largohen prej aty.

Gjithashtu, po dje Presidenti Joe Biden u takua virtualisht me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, me kryeministrin e Britanisë, Boris Johnson, dhe liderë të tjerë botërorë për t’i informuar ata mbi zhvillimet e fundit.

Menjëherë pas përfundimit të takimit doli se zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë tani mendojnë se Rusia do të pushtojë Ukrainën javën e ardhshme, sipas reporterit të PBS, Nick Schifrin, shkruan Daily Mail.

“Zyrtarët amerikanë parashikojnë një fushatë të tmerrshme, të përgjakshme që fillon me dy ditë bombardime ajrore dhe luftë elektronike, e ndjekur nga një pushtim, me qëllimin e mundshëm të ndryshimit të regjimit”, shkroi ai në Twitter. Një burim diplomatik tha se strategjia tani ishte për të intensifikuar përpjekjet për të përcaktuar koston e pushtimit të Putinit. 

(Kosova Sot Online )