Kuvendi mban seancë të enjten

  • E.K /
  • 14 February 2022 - 13:17
Kuvendi mban seancë të enjten

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, teksa ka treguar se të enjten do të mbahet seanca e radhës.

Muja tha se nga java e ardhshme në rendin e ditës do të jenë projektligjet për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe për deklarimin e prejardhjes dhe kontrollit të pasurisë.

“Të enjten mbahet një seancë solemne. Në ndërkohë nga java e ardhshme, janë këto pika të rendit të ditës. Dy ligje të rëndësishme në luftën e korrupsionit kanë hyrë në rendin e dytë, projektligji për byronë shtetërore dhe verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, projektligji për deklarimin e prejardhjes dhe kontrollit të pasurisë. Po ashtu, në rend dite është edhe projektligji për Agjencinë për Akreditimin. Këto janë esenciale për javën e ardhshme. Jemi dakorduar që javën tjetër të ketë seancë edhe për dialogun dhe politikën e jashtme”, tha ai.

Ligjvënësi po ashtu ka komentuar deklaratën e kolegut të tij nga radhët e AAK-së, i cili e quajti Qeverinë Kurti, si më të dobëtën në historinë e Kosovës.

Ai tha se ky mendim i tij është i pasaktë.

“Mendimi i kolegut është i pasaktë, s’ka nevojë për shumë shqyrtim. Se sa e dobët apo e padobët duhet të marrim indikatorët matës. E para, sa i përket vaksinimit, kemi qenë të fundit kur kemi ardhur (pushtet), ndërkaq sot jemi lider. E dyta sa i përket ekonomisë. Kosova ka vështirësi ekonomike. BKQ thotë që kemi pasur rritje 9.9 për qind, rritje reale”, deklaroi Muja.

(Kosova Sot Online)