Ngritet aktakuzë ndaj një personi për falsifikim të parasë në Prizren

  • E.K /
  • 14 February 2022 - 15:31
Ngritet aktakuzë ndaj një personi për falsifikim të parasë në Prizren

Prizren- Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo prokurori.

“Sipas aktakuzës, me datë 23.09.2021, rreth orës 12:55 në rrugën ‘’Enver Hadri’’ në Prizren, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon të njëjtën me qëllim që më pas ta vë në qarkullim si të vërtetë, në atë mënyrë që hyn në një lokal pronar i të cilit është H.M., nga Prizreni, merr një pako të cigareve ‘’Marlboro’’ dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 € (njëqind euro) dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke e marrë kusurin me vete”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se i njëjti më 18 shtator 2021, në Prizren, hyn në një market – pronar i të cilit është N.M., nga Prizreni, merr dy pako të cigareve dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 euro dhe largohet nga vendi i ngjarjes, duke e marrë kusurin me vete.

“Në të dyja rastet, është vërtetuar se kartëmonedhat janë falsifikim i plotë, përmes raportit të ekspertimit të datës 17.11.2021 nga Agjensioni i Kosovës për Forenzikë”, njofton prokuroria.

Me këto veprime, i pandehuri A.K., dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”, nga neni 296, paragrafi 2 të Kodit Penal.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në fund të komunikatës.

(Kosova Sot Online)