
As 100 mijë kosovarë të vaksinuar me dozën e tretë, shtetet e tjera kanë nisur me të katërtën

Derisa shtete të shumta kanë filluar me administrimin e dozës së katërt të vaksinës Anti-COVID, Kosova nuk ka të vaksinuar as 100 mijë banorë të saj me dozën e tretë të vaksinës dhe atë përforcuese.
Shtete të shumta tashmë kanë filluar administrimin e dozës së katërt të vaksinës Anti-COVID pas përhapjes së varianteve të ndryshme të COVID-19. Megjithatë Kosova ende nuk ka marrë një vendim për administrimin e dozës së katërt të vaksinës.
Vendi tashmë ka mbetur mbrapa sa i përket vaksinimit edhe me dozën e tretë dhe atë përforcuese të vaksinës.
Numri i vaksinave të administruara deri tani në Kosovë ka shkuar në pak mbi 1.8 milion.
897 mijë e 109 persona janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, 810 mijë e 798 me dozën e dytë, ndërsa 93 mijë e 507 me dozën e tretë dhe atë përforcuese.
Derisa muaj më parë, merreshin 20 mijë vaksina vetëm brenda një dite, gjatë këtij viti numri i vaksinave të administruara ka rënë dukshëm.
Këtë e dëshmon edhe numri i vaksinave të administruara në 24 orët e fundit në vend.
Të dhënat e publikuara sot nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkaq, numri i infektimeve të reja është rritur gjatë këtij viti, duke regjistruar shifra rekorde për një ditë. Kësisoj, edhe infektologë në vend e kanë parë si të rëndësishëm vaksinimin me dozën e tretë të vaksinës dhe atë përforcuese.
Infektolofu Hamdi Ramadani u ka kërkuar qytetarëve që të vaksinohen edhe me dozën e tretë të vaksinës, për shkak që, sipas tij, dy të parat janë treguar më pak efektive ndaj variantit Omicron.
Ai ka thënë se nëse qytetarët vazhdojnë të vaksinohen kundër COVID-19 e të respektojnë masat Anti-COVID, atëherë gjendja me pandeminë do të jetë e kontrollueshme. Nëse qytetarët nuk vaksinohen, atëherë sipas tij, situata mund të përkeqësohet.
Ndërsa, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë dje se varianti Omicron i COVID-19 po vazhdon të përhapet me shtim të rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim duke rënduar akoma situatën epidemiologjike me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.
Nga IKSHPK kanë thënë se virusi është kudo, andaj edhe qytetarët nuk duhet ta neglizhojnë atë.
“Situata epidemiologjike akoma është e rëndë, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Na ndihmoni që të ju ndihmojmë. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, është thënë nga IKSHPK.
Derisa COVID-19 po vazhdon të përhapet në vend e botë, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka ngritur dyshimet se as doza përforcuese e vaksinës nuk mund të jetë aq efektive për një kohë të gjatë.
Nga CDC ditë më parë kanë thënë se shumica e fuqisë mbrojtëse e ofruar nga dozat përforcuese të vaksinave Anti-COVID bie pas katër muajsh, kësisoj duke përmendur nevojën për një dozë të katërt të vaksinës.
Megjithse, derisa numri i të vaksinuarve me dozën e tretë dhe atë përforcuese vazhdon të jetë i ulët ne vend, një vendim për administrimin e dozës së katërt të vaksinës konsiderohet i panevojshëm për momentin.
Zëdhënës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se aktualisht është duke u administruar doza e parë e dytë dhe e tretë e vaksinës.
Ndërsa, ata janë shprehur se Kosova po ndjek me përpikëri rekomandimet që vinë nga OBSH, CDC dhe ECDC.
“Aktualisht është duke u administruar doza 1, 2 dhe 3. Sa i përket vaksinimit, Kosova ndjek me përpikëri rekomandimet që japin ECDC, WHO, CDC”, thuhet nga MSH.
(Kosova Sot Online)