Apeli ia vërteton dënimin prej 25 vitesh burgim burrit që vrau gruan në Kamenicë

  • E.K /
  • 16 February 2022 - 14:47
Apeli ia vërteton dënimin prej 25 vitesh burgim burrit që vrau gruan në Kamenicë

Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzoj si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit N.M., ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan.

Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjilan, i akuzuari N.M. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasje e rëndë, ndaj të akuzuarit është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 vjetëve.

Gjykata e Gjilanit kishte njoftuar se „i akuzuari dyshohet se me datë 25.07.2020 rreth orës 12:00 minuta, në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, më dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S. M., në atë mënyrë që fillimisht janë fjalosur e më pas i pandehuri ka marr një shufër metalike – mjet të përshtatëm me gjatësi 73 cm, e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës e cila rrëzohet në dysheme, më pas i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë, duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse për viktimën“.

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 25 vite burgim.

(Kosova Sot Online)