Polici Haxholli dyshohet se u vra nga një plumb i blerë në tregun e zi

  • G.G /
  • 21 February 2022 - 13:22
Polici Haxholli dyshohet se u vra nga një plumb i blerë në tregun e zi

Lirim Haxholli, zyrtar i Policisë së Kosovës, mbeti i vrarë të premten në mënyrë aksidentale nga kolegu i tij Fatlum Mehmeti.

Polici 27 vjeçar u vra gjatë një ndeje, ku ishin mbledhur 16 policë të Kosovës.

Plumbi që i mori jetën Lirimit, djalit të vetëm të familjes Haxholli, dyshohet se ishte blerë në mënyrë ilegale.

Në natën tragjike, oficerët e rinj të policisë dyshohet se me armë zyrtare, por me plumba të blerë në tregun e zi, po gjuanin në festën e tyre që po zhvillohej në një shtëpizë në fshatin Zllatar, në afërsi të Prishtinës.

Ndryshe, Demokracia.com ka raportuar e para për suspendimin e 15 zyrtarëve policorë.

Prej tyre, 1 polic është i dyshuar për vrasjen, 5 policë janë të dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të armës, si dhe 9 policë të tjerë për fshehjen e veprës penale.

Polici i dyshuar për vrasjen aksidentale të kolegut të tij dhe 5 policët e dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, aktualisht janë në paraburgim. Ndërsa, 9 policët e tjerë janë suspenduar për fshehjen e veprës penale.

Lidhur me vrasjen aksidentale të policit Lirim Haxholli, në qendër të mbajtjes për 48 orë është dërguar polici Fatlum Mehmeti. Ndërsa, për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe Përdorim i armës apo mjetit ët rrezikshëm”, në qendër të mbajtjes për 48 orë janë dërguar Gëzim Tahiri, Florent Ahmeti, Enis Imeri, Elit Thaqi dhe Bleart Misiri.

(Kosova Sot Online)