Kurti: S’mund të rritet varfëria nëse rriten shpenzimet, qytetarët shpenzojnë sepse kanë

  • E.K /
  • 22 February 2022 - 12:45
Kurti: S’mund të rritet varfëria nëse rriten shpenzimet, qytetarët shpenzojnë sepse kanë

Kryeministri Albin Kurti e ka dhënë një shpjegim të gjatë se pse sipas tij janë rritur të hyrat doganore dhe ato të Administratës Tatimore të Kosovës. Kurti në seancën e sotme të Kuvendit tha se qytetarët shpenzojnë para sepse i kanë ato.

Kurti thotë se nëse ka rritje të shpenzimeve, nuk ka mundësi të rritet varfëria.

“Rritja e konsumit, rritja e shpenzimeve nuk do të ishte i mundur nëse do të rriteshin përgjithithësisht varfëria, skamja. Pra, njerëzit shpenzojnë vetëm sepse kanë të shpenzojnë. Pra, nuk është e mundshme të shpenzosh nëse nuk ke të shpenzosh. Është kundërthënie logjike. E para. Por ka edhe një arsye tjetër pse njerëzit shpenzojnë. Njerëzit nuk shpenzojnë vetëm se thjesht kanë, por njerëzit shpenzojnë kur besojnë që do të vazhdojnë të kenë. Përndryshe nuk shpenzojnë. Dhe ky do të mund të ishte edhe njëfarë lloj le të themi definicioni i shpresës në kuptimin e saj në ekonominë e tregut”, tha ai.

Kryeministri tha se qytetarët shpenzojnë edhe sepse, “besojnë se do të vazhdojnë të kenë”.

“Pra, njerëzit shpenzojnë sepse kanë të shpenzojnë, por para se gjithash, e do të thosha edhe mbi të gjitha, njerëzit shpenzojnë sepse besojnë se do të vazhdojnë të kenë në mënyrë që të shpenzojnë edhe në të ardhmen. Pra, njerëzit më parë shpenzojnë sesa kursejnë kur kanë shpresë, kur besojnë që e ardhmja është më e mirë sesa e tashmja. Kur besojnë që ditët e ardhshme nuk do të jenë më të errëta, por më të nditshme sesa këto të tashmet. Prandaj, edhe të hyrat doganora edhe ato të Administratës Tatimore të Kosovës janë rritur”, tha Kurti.

Shefi i Ekzekutivit tha se ka varfëri në Kosovë, por tha se modeli i Gjermanisë dhe Zvicrës nuk mund ta çojë Kosovën në nivelin e tyre.

“A ka në Kosovë varfëri? Ka. A ka në Kosovë varfëri ekstreme? Ka. Ata që i përmendin Zvicrën e Gjermaninë, sigurisht që ky është modeli që ne e duam, mirëpo modeli i tyre nuk na sjell automatikisht në nivelin e tyre. Modeli dhe niveli janë dy gjëra të ndryshme. Unë e dua modelin gjerman e zviceran, që e kemi mësuar prej bashkëatdhetarëve tanë se si ruhet e duhet shteti, se si punohet e fitohet sipas meritës, mirëpo përkundër modelit të tyre, niveli i tyre nuk do të ngjajë së shpejti”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)