Vrasja e pesë anëtarëve të familjes Bllaca, i akuzuari thotë se s’ka pasur autorizim për ruajtjen e armëve

  • A.P /
  • 23 February 2022 - 16:01
Vrasja e pesë anëtarëve të familjes Bllaca, i akuzuari thotë se s’ka pasur autorizim për ruajtjen e armëve

Vrasja e pesë anëtarëve të familjes Bllaca, i akuzuari thotë se s’ka pasur autorizim për ruajtjen e armëve

I akuzuari Xhavit Azizi, staf civil në Stacionin Policor në Gjilan, në mbrojtjen e tij ka deklaruar që nuk ka autorizim për ruajtjen e armëve, në rastin ku policja kishte marrë armën dhe më pas kishe vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe veten, me që rast i njëjti po akuzohet për keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Këtë deklarim i akuzuari Xhavit Azizi e bërë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me leximin e shkresave të lëndës.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarit Xhavit Azizi, i cili fillimisht ka deklaruar që nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.

Ai ka vazhduar deklaratën e tij duke thënë se prej vitit 2003 në Policinë e Kosovës punon si staf civil.

“Unë nuk kam qenë kompetent për ruajtjen e armëve në bazë të udhëzimit administrativ të vitit 2017. Aty ka qenë e vendosur një klauzolë që ata që udhëtojnë jashtë shtetit mund të i lënë armët tek njësia mbështetëse në stacion apo drejtori si vend më i sigurt për ruajtjen e armëve”, ka thënë i akuzuari Azizi.

I njëjti ka thënë se nuk ka autorizim për ruajtjen e armëve.

“Çelësin e zyrës së inteligjencës e kam mbajtur me të njëjtin çelës të tavolinës së punës, dhe asnjëherë nuk e kam lënë mbi tavolinë apo diku tjetër, vetëm në ato raste që unë nuk kam qenë në punë e kam dorëzuar tek personeli, ndërsa çelësi i setit ku janë ruajtur armët ka qenë i vendosur në një orman metalik që gjendet në zyrën e inteligjencës, ku çelësin e ormanit e kam pas”, tha  i akuzuari Xhaviti.

Ai ka shtuar se me tani të ndjerën Valdete Bllacën, raporti i ka pasur si me çdo zyrtarë, dhe se kurrë nuk i kishte  kërkuar çelësin dhe as armë.

I akuzuari Azizi tha se në ditën kritike kur ka ndodhur rasti kishte qenë në punë, kurse një javë përpara kishte qenë në pushim dhe gjatë kësaj kohe çelësin e kishte pasur zyrtari i operativës.

I akuzuari ka thënë se sa i kujtohet e ndjera Valdete Bllaca gjatë vitit 2017 së bashku me eprorin e saj e ka dorëzuar armën,  për shkaqe shëndetësore të njëjtës i është marrë arma përkohësisht.

I njëjti shtoi po ashtu se nuk ka informacion që në vendin ku ka ndodhur ngjarja është gjetur një çelës.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuari Xhavit Azizi, avokat Fadil Sinani ka propozuar gjykatës që fjalët përfundimtare të u dorëzohet me shkrim, derisa as prokurori Shefik Mehmeti nuk e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica ka aprovuar propozimin e mbrojtjes duke  e caktuar seancën e radhës me datë 25 shkurt.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 5 janar 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Xhavit Azizit, sepse i njëjti nga 7 korriku 2017 deri më 18 shkurt 2020, si zyrtar i personelit në Stacionin Policor në Gjilan – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë, ka mbajtur çelësin e sirtarit metalik ku janë mbajtur armët, e në të cilin sirtar është mbajtur edhe arma zyrtare e zyrtares policore Valdete Bllaca.

Sipas aktakuzës i pandehuri i lartcekur, duke mos i ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, tani e ndjera, zyrtarja policore Valdete Bllaca, i ka fotokopjuar çelësat e zyrës dhe sirtarit metalik dhe nga aty e ka marrë armën e vet zyrtare të llojit “Gllock”, e cila armë i është sekuestruar për shkak të gjendjes shëndetësore psikike më 18 shkurt 2020, e me të cilën armë në shtëpinë e saj kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit edhe veten.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri në 8 vjet burg.

(Kosova Sot Online)