
Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll një aeroport strategjik afër Kievit

Ushtria ruse ka thënë se e ka bllokuar Kievin nga ana perëndimore dhe e ka marrë nën kontroll aeroportin strategjik “Hostomel”, afër kryeqytetit Kiev, raporton agjencia “Interfax”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, gjithashtu tha se 200 pjesëtarë të njësive speciale ukrainase janë vrarë, shkruan Associated Press.
Pretendimet e Rusisë nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Aeroporti “Hostomel” ka pistë të gjatë që e mundëson aterrimin e aeroplanëve të rëndë transportues. Kjo do të thotë se Rusia do të mund të dërgonte drejtpërdrejt trupa në periferi të Kievit përmes transportit ajror. Aeroporti “Hostomel” ndodhet vetëm shtatë kilometra në veriperëndim të Kievit.
Sipas lajmeve të raportuara në televizione, të cituara nga agjencia “Reuters”, automjetet ushtarake ukrainase janë duke hyrë në Kiev për ta mbrojtur kryeqytetin nga sulmi rus.
(Kosova Sot Online)