Rusia sulmon gjatë negociatave, Ukraina nënshkruan për të hyrë në BE

  • A.P /
  • 28 February 2022 - 17:47
Rusia sulmon gjatë negociatave, Ukraina nënshkruan për të hyrë në BE

Po shënohet dita e pestë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Lufta nuk po shkon ashtu siç mund ta ketë menduar Putini. Palët kanë biseduar për pesë orë. Derisa po negociohej, Rusia sulmoi me raketa Kharkivin ku u vranë civilë. Ukraina nga ana tjetër nënshkroi aplikimin për të hyrë në BE. Më poshtë gjeni të gjitha zhvillimet e ditës së sotme lidhur me luftën në Ukrainë.

[17:28] Përfundon takimi Rusi-Ukrainë

Pas pesë orë diskutimesh, ka përfunduar takimi mes ekipeve të Rusisë dhe të Ukrainës.

Bisedimet mes ekipit negociues të Ukrainës dhe atij të Rusisë, që po zhvilloheshin në kufirin e Bjellorusisë, kanë përfunduar. Kështu raporton the Guardian, duke e cituar një agjenci ruse të lajmeve.

Takimi ka nisur në mesditë, ndërsa palët aty hynë “pa parakushte”.

Derisa këto negociata po zhvilloheshin, u raportua se Rusia sulmoi me anë të një sulmi raketor, qytetin ukrainas, Kharkiv.

Ndërkaq, presidenti ukraians, Volodymyr Zelensky, nënshkroi aplikimin për anëtarësim të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

[15:56] Rusia sulmon me raketë qytetin ukrainas në mes të bisedimeve për armëpushim, vriten disa persona

Një raketë ruse ka vrarë disa persona në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, edhe pse Kyiv dhe Moska janë duke  zhvilluar negociata për të arritur një armëpushim, njofton The Guardian.

Lajmi vjen disa orë pasi presidenca ukrainase njoftoi se i ka nisur negociatat me delegacionin rus në Kufirin me Bjellorusinë që që kanë për qëllim arritjen e një armëpushim të mënjëhershëm për tërheqjen e forcave ruse.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u ka bërë thirrje trupave ruse që t’i braktisin pajisjet ushtarake nga fushëbeteja dhe të largohen për t’ia shpëtuar jetët e ushtarëve. Ai ka thënë se deri më tani janë vrarë 4500 ushtarë rusë.

[14:57] Pamje të reja nga takimi Ukrainë – Rusi

Bisedimet Ukrainë – Rusi kanë filluar në ditën e pestë të luftimeve prej kur Rusia nisi pushtimin e vendit fqinj

Tashmë janë ka publikuar disa fotografi të reja brenda takimit, për të cilin Ukraina dhe Rusia të dielën u pajtuan ta zhvillonin me ndërmjetësimin e Bjellorusisë.

Më shumë rreth kësaj, lexoni këtu.

[13:05] Kharkov në zjarr, raportohet për civilë të vrarë

Derisa po zhvillohen bisedimet Rusi-Ukrainë, raportohet për shpërthime në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkovin. Ndërsa raportohet edhe për civilë të vrarë.

Mediumi që raporton për Evropën Lindore, Nexta, ka publikuar pamje nga qyteti Kharkov, ku gjendja duket se u përshkallëzua

Kujdes, pamjet e publikuara janë të rënda.

Për këtë, lexoni më shumë këtu.

[13:03] Vatikani dëshiron të ndërmjetësojë në bisedimet Ukrainë – Rusi

Vatikani është shprehur i gatshëm “t’i lehtësojë” bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës, tha të hënën Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, raporton CNN.

Parolin, i cili është zyrtari numër një i Vatikanit pas Papa Françeskut, i tha gazetës italiane Corriere della Sera se beson se “ka ende dhe gjithmonë vend për negociata. Asnjëherë nuk është vonë”.

[12:46] Fjalët e para në takimin Ukrainë – Rusi

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei i ka mirëpritur delegacionet nga Ukraina dhe Rusia për bisedime të hënën, duke i siguruar anëtarët e të dy palëve se ata duhet të ndihen “plotësisht të sigurt”, raporton CNN.

“Të dashur miq, presidenti i Bjellorusisë më kërkoi t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju siguroj gjithçka për punën tuaj, siç është rënë dakord me presidentin Zelensky dhe presidentin Putin. Këtu mund të ndiheni plotësisht të sigurt. Kjo është detyra jonë e shenjtë”, tha Makei.

Për këtë, lexoni më shumë këtu.

[12:25] Brenda takimit Ukrainë-Rusi

Bisedimet Ukrainë – Rusi kanë filluar në ditën e pestë të luftimeve prej kur Rusia nisi pushtimin e vendit fqinj.

Kyiv Post ka publikuar një fotografi brenda takimit, për të cilin Ukraina dhe Rusia të dielën u pajtuan ta zhvillonin me ndërmjetësimin e Bjellorusisë.

[12:13] Fillojnë bisedimet Ukrainë-Rusi

Bisedimet midis delegacionit ukrainas dhe atij rus në kufirin ukraino-bjellorus kanë filluar, raporton CNN.

Ukraina kërkoi “armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse” përpara takimit.

Vetë Zelensky të dielën ka vendosur pritshmëri të ulëta për takimin dhe mund të hamendësohet se takimi në kufi do të japë pak. Por ai i ofron Putinit të paktën një hapësirë ​​të mundshme për një dalje nga lufta në Ukrainë, nëse trupat e tij vazhdojnë të hasin pengesa në fushën e betejës kundër forcave ukrainase.

Ukraina është zotuar të mos lëshojë terren në bisedimet me Moskën.

[12:00] Rusia regon pasi BE-ja ashpërsoi sanksionet duke blerë armë për Ukrainën

Rusia e ka akuzuar Bashkimin Evropian për sjellje armiqësore ndaj Rusisë, duke thënë se furnizimi i Ukrainës me armë është “i rrezikshëm dhe destabilizues”. Sipas Rusisë, ata kanë të drejtë në përpjekjet e tyre për ta çmilitarizuar fqinjin e saj, raporton The Guardian.

Perëndimi e ka shtuar furnizimin e Ukrainës me armë për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër një pushtimi rus që Moska e quan “operacion special ushtarak” që synon mbrojtjen e civilëve, raporton Reuters.

Kremlini nuk ka pranuar ta komentojë të hënën ecurinë e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak” rus në Ukrainë, duke ia referuar ushtrisë pyetjet për këtë çështje.

[11:22] Ukraina kërkon të anëtarësohet “urgjentisht” në Bashkimin Evropian

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Bashkimit Evropian të hënën “ta pranojë urgjentisht Ukrainën” në bllok, raporton CNN

“Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të pranojë urgjentisht Ukrainën duke përdorur një procedurë të re”, tha Zelensky në video-mesazhin e tij të fundit.

Ai u shpreh i sigurt se kjo “është e mundur”.

“Ne u jemi mirënjohës partnerëve që qëndruan me ne. Por qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe të jemi të barabartë me ta. Jam i sigurt që e meritojmë. Jam i sigurt se është e mundur”, tha Zelensky.

[11:11] Zelensky tregon numrin e ushtarëve të vrarë rusë

Vladimir Putin si duket nuk ishte përgatitur për një rezistencë të fortë nga Ukraina në luftën e shpallur katër ditë më parë. Mediumi “The Kyiv Independent”, citon një statistikë të dhënë nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, sipas të cilit 4 mijë e 500 ushtarë rusë janë vrarë.

Sipas këtij mediumi Zelensky është shprehur: “Tashmë 4,500 ushtarë rusë janë vrarë. Pse keni ardhur të gjithë këtu? Hidhni armët dhe largohuni, mos u besoni komandantëve tuaj, mos u besoni propaganduesve tuaj, thjesht shpëtoni jetën tuaj – largohuni”.

Mëngjesin e sotëm delegacioni ukrainas ka mbërritur në kufirin ukrainas-bjellorusi për bisedime me përfaqësuesit e Rusisë. Zyra e presidentit ukrainas tha se çështja kryesore e bisedimeve është një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave nga Ukraina. 

(Kosova Sot Online)