
A mundet Kosova të hyjë në NATO me procedurë të përshpejtuar

Tash për tash, Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO me një procedurë të përshpejtuar, thotë drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, njohës i çështjeve të sigurisë. Ish-ambasadori thotë se situata e tensionuar ndërkombëtare nuk ka shkuar deri aty sa ndërkombëtarët ta shtyjnë Kosovën me ngutë drejt anëtarësimit në NATO, duke i kapërcyer kushtet e paplotësuara elementare.
Procedura e anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk është e thjeshtë. Lulzim Peci nga KIPRED tha se Kosova aktualisht nuk është partner mjaftueshëm kredibil i bashkësisë ndërkombëtare. Meqenëse për vendin do të mbetet objektiv anëtarësimi në NATO, Peci thotë se Kosova duhet të krijojë rrethana të favorshme për veten dhe ta dëshmojë me veprime që është në një linjë me Perëndimin. Fillimisht, Peci thotë se Kosova duhet t’i heq hezitimet në raport me sugjerimet e SHBA-së për ndërtimin e gazsjellësit – projekt që thotë se po bëhet për ta hequr varshmërinë nga gazi rus – të përqëndrohet në dialogun me Serbinë dhe ta marrë seriozisht në konsideratë propozimin amerikan për çështjen e liqenit të Ujmanit.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha të dielën se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO është nevojë urgjente për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, ndërkohë që kjo teme dhe një bazë e përhershme ushtarake e SHBA’së në Kosovë në kontekst të luftës në Ukrainë, po marrin vëmendje ndërkombëtare. Por, ish-ambasadori Lulzim Peci thotë se Kosova duhet të prodhojë stabilitet të brendshëm dhe të eksportojë stabilitet jashtë rrugës së saj drejt anëtarësimit në NATO. Situata në rajon edhe mund të tensionohet, por Peci thotë se Kosova duhet ta dijë rolin e saj kyç.
(Kosova Sot Online)