Rusia bëhet edhe më agresive, sulmon pa ndalur dy kryeqendrat e Ukrainës

  • A.P /
  • 01 March 2022 - 18:21
Rusia bëhet edhe më agresive, sulmon pa ndalur dy kryeqendrat e Ukrainës

Po shënohet dita e gjashtë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Nata e fundit ishte e përgjakshme për Ukrainën. Iu vranë së paku 70 ushtarë në një vend. Më poshtë gjeni të gjitha ngjarjet e ditës së sotme lidhur me Ukrainën.

 

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i kërkoi homologut të tij kinez në një telefonatë të martën që të përdorë lidhjet e Pekinit me Moskën për të ndaluar pushtimin ushtarak të Rusisë ndaj fqinjit të saj, tha në një deklaratë ministria e jashtme e Ukrainës.

[18:13]Pesë të vdekur nga bombardimi i antenës së televizioneve në Kiev

 

Pesë persona kanë mbetur të vdekur pas një sulmi rus mbi një kullë televizive në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, shkruan The Guardian.

Dy shpërthime u dëgjuan në zonat Borshchahivka dhe Dorohozhychi, me pesë persona të vdekur dhe pesë të tjerë të plagosur, tha agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.

[17:32] Rusia intensifikoi sulmet me aeroplanë, Zelinskiy i drejtohet NATO’s

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka kërkuar nga NATO-ja që ta vendosë një zonë të ndalim-fluturimit për forcën ajrore ruse.

Zelinskiy ka thënë se Rusia duhet të ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase përpara se të fillojnë bisedimet kuptimplota për një armëpushim, raporton Reuters.

[17:22] Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Shumë nga ata që do ta pushtonin Kyivin për 2-3 ditë, tash janë në ferr

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov pasi kryesoi dje delegacionin e Ukrainës në bisedimet me Rusinë është kthyer menjëherë në vendin e tij, duke u ribashkuar me të tjerët në mbrojtjen e vendit.

Ai po i motivon ushtarët e tij edhe pas 128 orësh luftime në mbrojtje të vendit. “Shumë nga ata që prisnin ta pushtonin Kievin për 2-3 ditë tashmë janë në ferr. Le t’i mbajmë armët fort! Vazhdojmë rezistencën! Lavdi Ukrainës!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, ku i ka publikuar disa fotografi

(Kosova Sot Online)