I dyshuari për vrasjen e 14-vjeçarit në Vranjevc kishte shkuar në shkollë atë ditë dhe kishte mbajtur të gjitha orët

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 09:13
I dyshuari për vrasjen e 14-vjeçarit në Vranjevc kishte shkuar në shkollë atë ditë dhe kishte mbajtur të gjitha orët

Mëngjesi i 1 marsit ishte i fundit për Riad Hysenin. 14-vjeçari u ther për vdekje rrugës për në shkollë, nga një 15-vjeçar tjetër.

Klani mëson se i dyshuari është banor i së njëjtës lagje, nxënës i shkollës së mesme. I njëjti, pasi e sulmoi të ndjerin u nis për në shkollën e tij, sikur të mos kishte ndodhur gjë.

“Transporti niset prej Hotel Grand, në ora 8 e 5, dhe ata në 8 e 30 duhet me qenë në shkollë e në 9 fillon mësimi. Edhe ai ka qenë dje në orar të duhur në shkollë, ka ardhë si çdo ditë deri në orën e fundit të mësimit”,  ka thënë drejtori i Shkollës së Mesme “Rezonanca”.

I dyshuari vijoi mësimin pa telashe duke mos ditur që 14-vjeçarit i shkaktoi plagë fatale.

Duke qenë se shkolla ku mësonte i dyshuari ua merr nxënësve telefonat mobilë që në hyrje, ai apo shokët tjerë nuk patën qasje në lajme. Tek pasi u kthye në shtëpi kuptoi për vdekjen, që ia rrëfeu prindërve. Në polici u dorëzua vetë, rreth orës 20, bashkë me thikën që dyshohet se u përdor në krim.

Vepra për të cilën dyshohet, zor të besohet nga stafi i shkollës që kanë vetëm fjalë të mira për sjelljen e tij.

“Mund të them lirisht që ka qenë ndër nxënësit më të mirë në shkollë, gjysmëvjetorin e ka mbyllë me gjitha 5, nuk e ka pas asnjë mungesë”, tregoi drejtori Sylejman Buqaj për Klanin.

Ende nuk ka një motiv zyrtar për atë që ngjau në Kodrën e Trimave. Edhe i mituri është mbrojtur në heshtje. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

(Kosova Sot Online)