Xhaferi pritet nga Konjufca: Do ta ndihmojmë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

  • E.K /
  • 04 March 2022 - 11:38
Xhaferi pritet nga Konjufca: Do ta ndihmojmë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim sot homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi.

Në një konferencë të përbashkët për media, dy kryekuvendarët lavdëruan marrëdhëniet e mira mes dy republikave, duke thënë se ato shkojnë deri në raporte vëllazërore, për të cilat edhe u zotuan se do t’i thellojnë.

Konjufca tha se roli i dy parlamenteve për të vepruar në të njëjtën kornizë është i rëndësishëm për dyja vendet që po rreshtohen krah botës demokratike, duke marrë shembull edhe miratimin e rezolutës që dënon agresionin rus në Ukrainë.

“Relacionet tona të mira diktohen edhe prej vetë natyrës së lidhjeve që e kanë popujt tonë e të cilat shkojnë edhe në lidhje familjare dhe të thella në mes dy popujve. Bashkëpunimi shumë i mirë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut me të gjitha institucionet, mes parlamenteve tona, qeveritë me mbledhjet e përbashkëta prej të cilave dalin marrëveshje të rëndësishme, vizita e para disa javëve e presidentit Pendarovski, tregojnë për një aktivitet të shtuar dhe thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve”.

Konjufca tha se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO edhe njëherë po e sjell në vëmendje rëndësinë e vet për stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, Xhaferi tha se po gjendet në mes të vëllezërve dhe se kjo është një konstatim për marrëdhënie të mira bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kemi qëndrim afirmativ ndaj aderimit të Republikës së Kosovës në të gjitha nismat dhe forumet multilaterale dhe rajonale, si dhe do të vazhdojmë edhe më tej në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat dhe nismat ndërkombëtare ku jemi anëtarë  me të drejtë vote”.

Xhaferi tha se vendi i tij e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe një marrëveshje që do të sillte paqe për të dyja vendet.

(Kosova Sot Online)