Pas mbylljes së rrugëve të kontrabandës, persona të panjohur i vendosin barrikada Policisë në veri

  • E.K /
  • 04 March 2022 - 12:23
Pas mbylljes së rrugëve të kontrabandës, persona të panjohur i vendosin barrikada Policisë në veri

Persona të panjohur ia kanë bllokuar mbrëmë rrugën Policisë së Kosovës në afërsi të Bërnjakut, pasi Policia e Kosovës ditë më parë pas një aksioni të gjerë ka mbyllur rrugët alternative të hapura në atë pjesë e të cilat shfrytëzoheshin për kontrabandë.

Express merr vesh se në këtë pjesë janë vendosur drunjë me qëllim të bllokimit të rrugës.

Para dy javësh Policia e Kosovës ka ndërmarra masa ndaluese për të pamundësuar shfrytëzimin e rrugëve ilegale për të futur mallra në territorin e Kosovës.

Pjesë e këtij aksioni të policisë ishte edhe një rrugë në brezin kufitar që e lidh Kosovën me Serbinë.

“Përveç tjerash Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante të përfshira në këtë operacion policor, ka ndërmarr masat e nevojshme preventive për të parandaluar dhe pamundësuar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga ana e personave të dyshuar, të cilët dyshohet se me mjete të ndryshme kanë shfrytëzuar rrugët ilegale në brezin kufitar që lidhë Republikën e Kosovës me Serbinë dhe Republikën e Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut, për kryerje të aktiviteteve kriminale dhe kontrabanduese”, pati njoftuar policia.

Për këtë aksion pati reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai kishte përgëzuar policinë për aksionin teksa tha se kjo dëshmon forcimin e shtetit ligjor.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme përgëzoj Policinë e Kosovës në realizimin e suksesshëm të planit operacional në parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe të gjitha formave të kontrabandës, që përfshijnë zonat kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo dëshmon forcimin e shtetit ligjor, parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të mallrave përmes rrugëve ilegale, duke mbyllur dhe pamundësuar rrugët ilegale të shfrytëzuara nga kontrabanduesit”, pati thënë Sveçla. 

(Kosova Sot Online)