Pronari i fabrikës: S’ka hapësirë për panik, ka sasi të konsiderueshme të vajit në stok

  • E.K /
  • 10 March 2022 - 14:45
Pronari i fabrikës: S’ka hapësirë për panik, ka sasi të konsiderueshme të vajit në stok

Pronari i fabrikës së vajit “FLOIL” në Gjilan ka thënë se nuk ka nevojë për shqetësim lidhur me mungesën e vajit, pasi siç tha ai ka sasi të konsiderueshme në stoqe.

Para gazetarëve ai deklaroi se në Kosova vaji konsumohet shumë por që s’ka nevojë për panik.

“Më shumë është krijuar një panik apo një shqetësim tek qytetarët dhe janë duke konsumuar më tepër se që duhet. Duke e parë si rafineri se sa është konsumi i qytetarëve për çdo ditë, mendoj që është pak e ekzagjeruar si konsum. I lus qytetarët që të mos kenë shqetësim sepse nuk ka hapësirë për shqetësim. Kemi sasi të konsiderueshme ku edhe për këtë muaj do të mbulojmë me sasi. Pastaj edhe me ndihmën e kryeministrit dhe ministrave do të gjejmë mundësi dhe forma për vaj”, tha ai,

Ai u zotua se do të përdorin çdo mundësi që qytetarëve të mos u mungojë vaji në tryezë.

“Do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë që qytetarët e tanë të mos mbesin pa vaj, por edhe lusim që mos ta kenë vajin të shtrenjtë në tryezat e tyre sepse e dimë që është një produkt esencial. Ne do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë, tona dhe menaxhmenti jonë është duke bërë hulumtim të pandërprerë që t’i shfrytëzojmë të gjitha burimet qe i kemi për furnizim që t’i rafinojmë dhe që qytetarët ta kenë në tryezë vajin”, deklaroi ai.

Më tutje ai deklaroi se me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci kanë diskutuar për mundësinë e rritjes së rafinerisë për shtrydhjen e lulediellit.

“Ne me ministrin Peci diskutuam mundësinë e rritjes së rafinerisë sonë për shtrydhjen e lulediellit dhe mbjelljen e farës së lulediellit dhe mundësive të tjera. Sot kemi biseduar shumë gjatë. Çmimin me të cilin është duke e shitur kompania Floil është 1.95 cent për litër, pa TVSH, e ku del 2.10. Çmimi i tregut edhe për ne si kompani ishte shqetësues”, tha ai.

(Kosova Sot Online)