Gorani: Qeveria t’i thotë qytetarit “nuk ke nevojë t’i blesh 500 litra vaj”

  • A.P /
  • 10 March 2022 - 21:38
Gorani: Qeveria t’i thotë qytetarit “nuk ke nevojë t’i blesh 500 litra vaj”

Dukagjin Gorani ka thënë se përkundër faktit që Kosova nuk ka mundur të ndikojë në rritjen e çmimeve në nivel rajonal, por ai thotë se Qeveria ka mundur të reagojë në disa raste.

Gorani ka cekur se ajo që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit është dashur të pritet me një përgjigje të qeverisë. Ai shton se Qeveria nuk ka dalë me një reagim në kohë që qytetarët të mos vërshojnë marketet në kërkim të produketeve të vajit ushqimor.

“Duhet të tregohemi edhe korrekt, pasi nuk mund të ketë dorë një qeveri në rritjen e çmimeve. Por paniku është dashur të has në një përgjigje të kalibruar të qeverisë e cila do të kërkonte për qetësi. Qeveria t’i thotë qytetarit “nuk ke nevojë t’i blesh 500 litra vaj””, thotë ai.

Gorani po ashtu thotë se Qeveria duhet të dalë më shumë në deklarime në këtë kohë kur po flitet shumë për rreziqe të mundshme.

“Këto sjellje vetëm se pa nevojë po prodhojnë ndjenjë të zymtësisë pasi shumë lehtë mund të prodhojë panik dhe e prodhojmë një situatë ku qytetari mund të thotë se ndjehemi të rrezikuar. Nuk e kemi luksin të krijojmë frikë mes vete e të vetfrikësohemi. Ndoshta është situata që qeveria të dalë shumë më shumë në mënyrë vetsiguruese e shumë më pak të jap deklarime të cilat mund të jenë kontraverse”, përfundoi Gorani. 


(Kosova Sot Online)