Si do mund t’i dënonte Autoriteti i Konkurrencës bizneset që manipuluan me çmimin e vajit

  • A.P /
  • 11 March 2022 - 17:51
Si do mund t’i dënonte Autoriteti i Konkurrencës bizneset që manipuluan me çmimin e vajit

Ish-kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se me çmimin që është shitur dje vaji në Kosovë, operatorët kanë mundur të përfitojnë deri në 2.5 milionë euro për dy-tri ditë.

Ai tha se kjo llogaritje është bërë bazuar në deklarata dhe informata.

“Sipas informatave dhe deklaratave nga drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, z.Sakip Imeri, çmimi furnizues apo blerës në Doganë ka qenë 1.45 cent, dhe nëse shiten 1.5 milionë shishe vaj brenda këtyre ditëve atëherë del llogaritja që këta zotërinjtë i fitojnë 2.5 milionë euro”, tha ai.

Se kishte probleme me çmimin e vajit edhe vitin e kaluar, Prestreshi pohoi se ka pasur.

“Edhe nëse ata hyjnë në burg për 2 milionë euro ja vlen me hy absolutisht. Çështja e vajit ka qenë problematike edhe vitin e kaluar sa ne ishim në mandat. Ne patën hartuar një raport dhe kemi arriture që të konstatojmë dhe ta informojmë publikun që çmimi i vajit në atë kohë është si derivat sepse çmimi ishte i rritur sipas importit”, tha ai.

E shitjen e një litre vaj për 3.49 cent, ai e konsideroi vepër penale.

“Kjo që ka ndodhë është vepër penale dhe mundet me ndërhy edhe Prokuroria, por prijës i kësaj situatë do të duhej të ishte Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, tha ai.

Më tutje ai tregoi edhe për masat që do të mund të kishte marr AKK, nëse bordi do të ishte funksional.

“Ai menjëherë vendos masa të përkohshme dhe ndalon çdo kompani me shit çmime në këtë kohë dhe gjendjen mundet me e mbajt në 6 muaj derisa të përfundojnë hetimet dhe pastaj shqiptohet gjoba prej 10% të qarkullimit vjetor”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)