Bislimi takon ministrin danez Hakkerup, flasin rreth marrëveshjes për qelitë e burgut

  • A.P /
  • 11 March 2022 - 18:08
Bislimi takon ministrin danez Hakkerup, flasin rreth marrëveshjes për qelitë e burgut

Zv.kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar sot me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hakkerup. Sipas një njoftimi për media të Kryeministrisë, në këtë takim është biseduar për procesin e miratimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes ndërkombëtare Kosovë-Danimarkë për dhënien me qira të qelive të burgut për shtetin danez.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu progreset e arritura nga Kosova në fusha, si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në njoftim.

“Ministri Hækkerup vlerësoi angazhimin e Republikës së Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahje në fusha të ndryshme zhvillimore, projekte të ardhshme të mundshme, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thekson komunikata.

Në këtë takim, siç njofton ZKM, Bislimi ka folur edhe për synimet e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen evropiane të Kosovës, anëtarësimin në BE, Këshill të Evropës dhe nevojën për liberalizimin e vizave.

 “Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta partneriteti, e cila do të vijojë të thellohet, në kuadër edhe të projekteve e bashkëpunimeve të ardhshme”, përfundon njoftimi për media.

(Kosova Sot Online)