
Rusia pretendon se gjeti gjurmë të armëve biologjike në Ukrainë, SHBA e quan qesharake

Ambasadori i Rusisë në OKB ka thënë se forcat ruse kanë gjetur prova të një përpjekjeje për të pastruar provat e armëve biologjike në Ukrainë.
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbledhur me kërkesë të Rusisë, Vasily Nebenzya pohoi se forcat ruse kishin gjetur prova të një rrjeti prej “të paktën 30″ laboratorësh që përdoren për kërkime biologjike dhe që kishin synim të përforconin disa “sëmundje vdekjeprurëse”.
Ai tha se “eksperimente biologjike shumë të rrezikshme” ishin kryer në Ukrainë në koordinim me SHBA-në.
Nebenzya, nuk dha asnjë provë për pretendimet e tij dhe shefi i çarmatimit të OKB-së, Izumi Nakamitsu, ka thënë se nuk është në dijeni të ndonjë programi të armëve biologjike në Ukrainë.
Ndërkohë, SHBA i ka quajtur pretendimet e tilla nga Rusia qesharake dhe paralajmëron se Rusia mund t’i përdorë ato për të justifikuar përdorimin e saj të mundshëm të armëve të ngjashme kundër Ukrainës.
(Kosova Sot Online)