Përfundon aksioni në Qafë Morinë, dërgohen policë nga pikat e tjera kufitare

  • E.K /
  • 14 March 2022 - 11:28
Përfundon aksioni në Qafë Morinë, dërgohen policë nga pikat e tjera kufitare

Në Qafë Morinë ka përfunduar aksioni i Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës. Pasi që policët që ishin në ndërrim u arrestuan, Policia e Kosovës dërgoi policë nga pikat e tjera kufitare për të mbuluar mungesën e tyre.

Media raporton se secila veturë që po hyn po kontrollohet në mënyrë rigoroze.

Media raportoi se në pranga kanë rënë dy komandantët e dy vendkalimeve kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës. Përveç tyre IPK ka arrestuar krejt policët që ishin në ndërrim, konfirmuan burimet e Expressit brenda PSRK-së.

Aksioni ka filluar në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren dhe është duke vazhduar akoma. Pritet arrestimi i dhjetëra zyrtarëve policorë.

IPK tha se operacionit të sotëm i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

(Kosova Sot Online)