Arrestohen edhe dy oficerë doganorë

  • E.K /
  • 14 March 2022 - 11:59
Arrestohen edhe dy oficerë doganorë

Dogana e Kosovës ka mbeshtetur Inspektoratin Policor të Kosovës në operacionin e arrestimit të zyrtarëve të kufirit në Rajonet Gjakovë dhe Prizren, ku janë arrestuar edhe dy zyrtar doganor për dyshimet se kanë kryer veprat penale ‘mitmarrje’ dhe ‘shpërdorimi I detyrës apo autoritetit zyrtar’.

Pas arrestimit të tyre, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës ka ndërmarrë veprimin e suspendimit të menjëhershëm të zyrtarve doganor të arrestuar dhe do të filloj procedimin administrativ disiplinor.

Në Qafë Morinë ka përfunduar aksioni i Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës. Pasi që policët që ishin në ndërrim u arrestuan, Policia e Kosovës dërgoi policë nga pikat e tjera kufitare për të mbuluar mungesën e tyre.

Nga ky aksion pritet arrestimi i dhjetëra zyrtarëve policorë.

“Dogana e Kosovës është mirënjohëse ndaj punës së Inspektoratit Policor në hetimin e këtij rasti dhe do të vijoj me bashkëpunim të rregulltë me Inspektoratin, Policinë dhe Insititucionet tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Doganës.

“Dogana e Kosovës zbaton politika rigoroze që dekurajojnë me efikasitet praktikat e korrupsionit dhe sjelljes jo profesionale si dhe do të ndërmarrë me prioritet veprime që synojnë luftimin e korrupsionit dhe praktika të dëmshme e sjellje jo profesionale.

Mbi këtë konsideratë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës ka ndërmarrë veprimin e suspendimit të menjëhershëm të zyrtarve doganor të arrestuar dhe do të filloj procedimin administrativ disiplinor”, përfundon njoftimi i Doganës.

(Kosova Sot Online)