Me rend dhe ligj, ngadalë por sigurt strukturat e inkriminuara në gjyqësor po marrin goditjen serioze!

Me rend dhe ligj, ngadalë por sigurt strukturat e inkriminuara në gjyqësor po marrin goditjen serioze!

Gani Qarri

  • 14 March 2022 - 08:58

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Duket se me rivendosjen e rendit dhe të ligjit, ngadalë por sigurt strukturat e inkriminuara në gjyqësorin e Kosovës, po marrin goditjen serioze, madje këtë edhe nga ekspertiza ndërkombëtare lidhur me Reformën në Sistemin e Drejtësisë, duke hedhur poshtë pretendimet e KPK-së dhe KGJK-së për kinse hartimin e pakos ligjore në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare.

Para vetë dy-tre ditësh, Komisioni i Venecias ka lëshuar draft-opinionin e ri, lidhur me versionin e ridërguar të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke i dhënë kështu mbështetje të plotë Projektligjit të Qeverisë, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës. Siç dihet më 25 shkurt 2022, Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar nga Komisioni i Venecias, që të japë mendimin nëse draft-Projektligji i ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka zbatuar rekomandimet e Komisionit të Venecias të dhëna në opinionin e parë, të publikuar në dhjetor të vitit 2021. Draft-opinioni i ri i Komisionit të Venecias fokusohet kryesisht në shqyrtimin e dispozitave ligjore të cilat kanë të bëjnë me dizajnimin institucional të Këshillit si dhe me dispozitat kalimtare, për ndryshimin e përbërjes së caktuar të Këshillit Prokurorial nga trembëdhjetë (13) në shtatë (7) anëtarë, me ç`ka u vërtetua se nuk cenon standardet ndërkombëtare.

Ndërsa në përbërjen shtatë anëtarësh, sipas detyrës zyrtare, do të jenë Kryeprokurori i Shtetit, tre prokurorë të zgjedhur nga ana e prokurorisë themelore, ajo e Apelit dhe Speciale, si dhe tre anëtarë jo prokurorë (dy të zgjedhur nga Kuvendi dhe një i caktuar nga Avokati i Popullit.

Draft-opinioni i Komisionit të Venecias potencon po ashtu se Projektligji ka adresuar komentet e këtij Komisioni lidhur me shkurtimin e mandatit të shumicës së anëtarëve aktualë të Këshillit, duke mundësuar që nga nëntë anëtarë të deritanishëm, tre prej tyre të vazhdojnë mandatin ligjor. Kështu që sipas Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara në këtë Projektligj paraqesin progres të qartë dhe përmbajtjesor krahasuar me Projektligjin që ishte dërguar në Komisionin e Venecias për herë të parë në fund të vitit 2021. Në këtë kontest Komisioni i Venecias thekson edhe aspekte ku drafti aktual i Projektligjit mund të përmirësohet më tutje, për të përjashtuar ndikimin e mundshëm dhe të padrejtë të Kryeprokurorit të Shtetit në raport me anëtarët e tjerë prokurorë në KPK.

Prandaj ligji duhet të bëjë të qartë se anëtarët prokurorë përfaqësojnë mendimet dhe opinionet tyre, në mënyrë që anëtarët prokurorë të jenë të pavarur në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive në Këshill dhe të mënjanojnë mundësitë që Kryeprokurori i Shtetit të keqpërdorë pozitën e tij hierarkike, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në raport me anëtarët prokurorë. Për aq më tepër, Projektligji mund të parashikojë masa mbrojtëse procedurale duke e bërë më objektiv procesin e para-përzgjedhjes së anëtarëve jo-prokurorë, duke përfshirë pjesëmarrjen e ekspertëve dhe arsyetimin. Komisioni i Venecias thotë se Projektligji duhet të përshkruajë më qartë procesin e zgjedhjes së anëtarëve prokurorë, si dhe të qartësojë edhe procedurën e para përzgjedhjes së anëtarëve jo-prokurorë, nga ana e komunitetit të prokurorëve, duke inkorporuar një formë të votimit preferencial. Me këto opinione pozitive Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës u miratua të mërkurën, më 9 mars 2022, në Qeverinë e Kosovës, ndaj ajo që habit është fakti se pavarësisht opinionit pozitiv nga Komisioni i Venecias , KPK dhe KGJK e kanë kundërshtuar Projektligjin në fjalë.

Miratimi i Projektligjit të lartcekur nga ana e Qeverisë u kundërshtua nga Këshilli Prokurorial, duke e cilësuar atë si tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit?! Ndaj me sjelljet dhe qëndrimet e tilla të çuditshme të këtij këshilli, po dëshmohet edhe një herë më tepër, me fakte, se njëjtë si në "Këshill" ashtu edhe në Sistemin e Drejtësisë së kapur e të korruptuar, janë fut shumë individ të inkriminuar të cilët vazhdojnë ti mbajnë lidhjet kriminale, për t`ia bërë si deri më tani, avokatinë krimit të organizuar, prandaj dhe pa asnjë arsye dhe argument substancial, vazhdojnë të rezistojnë ndaj pakos së reformave në sistemin e drejtësisë. Këtë rezistencë te turpit, ata po e shfaqin pikërisht me Projektligjin për Këshillin Prokurorial e gjyqësor të Kosovës, madje të njëjtit duke parandier se nuk mund ta kalojnë sprovën e reformës, pritet të kundërshtojnë jo vetëm reformën, por ditët në vijim të bëhen edhe më të zëshëm kundër vet Ligjit për Vetting-un, opinioni i të cilit pritet të bëhet publik brenda javës që ardhshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".