
Drejtori i Policisë thotë se “siguria është në nivel maksimal” në pikat kufitare pas arrestimit të 48 policëve

Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti tha se “çdo gjë po shkon ashtu siç duhet të shkojë”, pas arrestimit të 48 zyrtarëve policorë dhe dy doganierëve.
Mehmeti tha se “më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje” pas aksionit “Pika”, që u zhvillua në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit.
“…sepse dje kanë qenë 50 zyrtarë policorë që janë dyshuar për korrupsion ose për mitmarrje. Fakti që policia edhe institucionet e shtetit e kanë fuqinë dhe mundësinë dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin. Duhet të ndihemi më mirë sot, se dje”, tha Mehmeti në konferencë për media.
Drejtori i Policisë tha se në pikat kufitare me Shqipërinë gjërat po shkojnë siç duhet.
“Siguria është në nivelin maksimal, janë zëvendësuar zyrtarët policorë dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet të shkojë. Të arrestuar janë zëvendësuar me zyrtarë të tjerë policorë”, tha ai.
“E keni pa që pjesë e operacionit ka qenë edhe Policia e Kosovës, pjesë e shkëmbimit të informacioneve ka qenë edhe Policia e Kosovës. Një organizatë që është në gjendje me e luftu të keqen brenda vetvetes është një organizatë e shëndoshë”, tha ndër tjerash Mehmeti.
Ndërsa nuk dha shifra të përgjithshme të zyrtarëve policorë të korruptuar, Mehmeti tha se “ka pasë raste gjithmonë”.
“Këto janë veprimet që ndërmerren. Kur dikush korruptohet, arretohet, procedohet”.
(Kosova Sot Online)