Eksponenti i Listës Serbe mbështet agresionin rus në Ukrainë kurse SHBA-në dhe britanikët i quan provokatorë

  • A.P /
  • 14 March 2022 - 16:06
Eksponenti i Listës Serbe mbështet agresionin rus në Ukrainë kurse SHBA-në dhe britanikët i quan provokatorë

Milan Kostic, ish-kandidat i Listës “Srpska” për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbështet agresionin rus në Ukrainë. Përveç shpërndarjes së lajmeve të rreme, të cilat vijnë qoftë nga mediat serbe, apo ruse, Kostic, në profilin e tij në Facebook, ka shpërndarë edhe gjuhë të urrejtjes që para nisjes së invazionit rus në Ukrainë.

“Ukraina, në bashkëpunim me SHBA dhe britanikët, tentojnë që ta provokojnë intervenimin ushtarak të Rusisë”, ka shkruar Kostic më 18 shkurt 2022.

Milan Kostic, serb nga komuna e Vushtrrisë, është një nga eksponentët e Listës “Srpska”, e cila kontrollohet nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Ai është i afërt me Milan Radoiçiqin, i cili është përfshirë në një listë të sanksioneve nga SHBA. Përveç se e mban në krye të profilit të tij në Facebook, Kostic e quan Radoiçiqin “general”.

Pothuajse dy muaj pas sanksionimit të Milan Radoiçiqit, nënkryetarit të Listës “Srpska”, ish-kandidati për deputet nga kjo parti, e kishte postuar flamurin serb, kurse në status kishte shkruar “Rroftë vëllai ynë, GJENERALI MILAN RADOICIC”. Madje, Kostic e mban edhe fanellë kriminelin nga komunat veriore të Republikës së Kosovës. 

Sipas një vendimi ilegal të Qeverisë së Serbisë, Milan Kostic është emëruar kryetar i të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm” i komunës së Vushtrisë.

(Kosova Sot Online)