Kryeministrat e tri vendeve europiane janë nisur me tren drejt Kyivit për ta takuar Zelenskiyn

  • E /
  • 15 March 2022 - 12:07
Kryeministrat e tri vendeve europiane janë nisur me tren drejt Kyivit për ta takuar Zelenskiyn

Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke janë nisur me një tren për në Kyiv për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe kryeministrin Denys Shmyhal, raporton CNN.

Treni me liderët e tri vendeve në bord u nis para orës 9 të mëngjesit me orën lokale, tha të martën kreu i kancelarisë së Kryeministrit të Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Në kryeqytetin ukrainas udhëtojnë Mateusz Morawiecki i Polonisë dhe zëvendësi i tij Jarosław Kaczyński, Janez Jansha i Sllovenisë dhe Petr Fiala i Republikës Çeke.

Qëllimi i vizitës është “të konfirmojë mbështetjen e qartë të të gjithë Bashkimit Europian për sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe të paraqesë një paketë të gjerë mbështetjeje për shtetin dhe shoqërinë ukrainase”, tha një zëdhënës i qeverisë.

Ata thanë se udhëtimi ishte organizuar në marrëveshje me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe shtuan se komuniteti ndërkombëtar do të informohet për vizitën e delegacionit përmes organizatave ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

“Në momente të tilla përparimi për botën, është detyra jonë të jemi aty ku është farkëtuar historia; sepse nuk ka të bëjë me ne, por me të ardhmen e fëmijëve tanë që meritojnë të jetojnë në një botë të lirë nga tirania”, tha Morawiecki në një postim në Facebook të martën.

Morawiecki tha se ai dhe liderët e tjerë do të shkonin në Kyiv për t’u “treguar ukrainasve solidaritetin tonë” dhe denoncoi “agresionin kriminal të Putinit kundër Ukrainës”.

(Kosova Sot Online)