Afera BREZOVICA, të gjithë ish-qeveritarët, kokat kryesore politike të përfshirë në krim të organizuar

Afera BREZOVICA, të gjithë ish-qeveritarët, kokat kryesore politike të përfshirë në krim të organizuar

Gani Qarri

  • 15 March 2022 - 07:38

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Skandali me ndërtimet e vilave në Brezovicë, për të cilin dyshohen dhe vazhdojnë të hetohen nga Prokuroria e shtetit, figurat më të larta të politikës kosovare, siç treguan edhe aksionet e fundit në Brezovicë, do të shpërthejë si tërmet i fuqishëm para ligjit dhe drejtësisë, duke vënë nën pranga figurat më të larta shtetërore dhe me peshë politike, biznesmenë, si dhe zyrtarë të lartë institucionalë të cilët mbanin pozita të rëndësishme në institucionet kryesore të ligjit dhe udhëheqjes shtetërore të Kosovës. 

 Duke pasur parasysh faktin se sipas informatave në media, në ndërtimet e kundërligjshme të vilave, hoteleve e kamp shtëpizave dhe shkatërrimin kundërligjor të parkut kombëtar në Brezovicë, prijnë ish politikanët dhe ish ministrat më të lartë të shtetit, që nga Hashim Thaçi, Atifete Jahjaga, Ramush Haradinaj, Fatmir limaj, Enver Hoxhaj, Arsim Bajrami, Abelard Tahiri, Memli Krasniqi, këshilltari i Thaçit, Bekim Çollaku, prokurorja e shtetit Laura Pula dhe vet ish ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, këtu mund të shihet më së miri se nëpër çfarë fatkeqësish të mëdha ka kaluar vendi ynë i vogël dhe nga çfarë gangsterësh dhe figurash të kriminalizuara janë drejtuar ministritë më të rëndësishme si dhe vet shteti i kapur i Kosovës.

Skandali me ndërtimet e vilave në Brezovicë, për të cilin dyshohen dhe vazhdojnë të hetohen nga Prokuroria e shtetit, figurat më të larta të politikës kosovare, siç treguan edhe aksionet e fundit në Brezovicë, do të shpërthejë si tërmet i fuqishëm para ligjit dhe drejtësisë, duke vënë nën pranga figurat më të larta shtetërore dhe me peshë politike, biznesmenë, si dhe zyrtarë të lartë institucionalë të cilët mbanin pozita të rëndësishme në institucionet kryesore të ligjit dhe udhëheqjes shtetërore të Kosovës.  Edhe shumica e të arrestuarve të deritanishëm, dyshohen për disa vepra penale, si: keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti, korrupsion e krim të organizuar etj, afera në të cilat, sipas raportimeve në media janë involvuar edhe disa nga politikanët dhe ish-udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës të cilët kanë toka dhe shtëpi banimi në Brezovicë dhe të njëjtit pritet të jenë objekt hetimi dhe i ndjekjeve penale ligjore, për ndërtime të paligjshme dhe përvetësimin e kundërligjshëm të parcelave në parkun kombëtar “Sharri” në Brezovicë! 

Sipas informatave që po qarkullojnë në media, kokat më të larta të politikës dhe institucioneve të shtetit, e kanë keqpërdorur fuqinë e tyre politike, për të kapur secili për vete nga një “hise” dhe ndërtuar kundërligjshëm në parkun kombëtar në Brezovicë. Madje, siç është raportuar edhe vet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka në pronësi një vilë, mu në Brezovicë! Kurse në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020-n Thaçi ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët një tokë bujqësore dhe dy shtëpi, por nuk ka cekur edhe vilën në Brezovicë. Për aq më tepër, përveç Thaçit pasuri të pa luajtshme dhe vilë në Brezovicë ka edhe paraardhësja e tij, presidentja Atifete Jahjaga, e cila po ashtu, më 2015, në Agjencinë Kundër Korrupsion, as ajo nuk ka deklaruar vilën në Brezovicë. Informatat e mëtejme tregojnë se hapave të Thaçit ka ecur edhe kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, të cilët po ashtu posedojnë vila në Parkun Kombëtar të “Sharrit”! Abelard Tahiri, në deklarimin e fundit të pasurisë, thuhet të ketë treguar se ka në pronësi të përbashkët një shtëpi banimi, lokale afariste dhe një shtëpi malore, por pa specifikuar lokacionin në Parkun Kombëtar në Brezovicë.

Vilë në Brezovicë, sipas  raportimeve në media ka edhe Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, ndaj këtu mund të shihet më së miri se nga çfarë gangsterësh dhe individësh të inkriminuar janë drejtuar ministritë më të rëndësishme të vendit, si dhe shteti i kapur i Kosovës. Zinxhirin e politikanëve të inkriminuar, përveç politikës e ka lidhur edhe më tepër interesi, të cilët mbijetuan për më tepër se një dekadë në pushtet herë si partner në qeverisje e herë si rival opozitar, me veprime pa seriozitet dhe aktrime formale, të cilët i ka mbledhur e bashkuar të gjithë në një vend, parku turistik në Brezovicë, ku parcelat e trojeve dhe vilat e ndërtuara, rriten e zgjaten pafund, ani pse atje me ligjet e Kosovës, ishin të ndaluara ndërtimet dhe betonimi, por ata që do duhej ta ruanin këtë vend nga keqbërësit, e prishën dhe shkatërruan vet, në mënyrën më katastrofale.

Në media është raportuar po ashtu se edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në pronësi të tij, ka një parcelë tokë edhe në Brezovicë, i cili ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë kodrinore që kap vlerën prej 75 mijë eurosh, si dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove.  Krahas tyre, vila në Brezovicë kanë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, por në deklarimin e fundit të bërë në AKK Çollaku ka pranuar se ka në pronësi të përbashkët parcelë prej 700 metrave katrorë dhe shtëpiza në atë kohë në ndërtim e sipër, pa treguar lokacionin, kurse, Limaj ka të deklaruar vetëm një truall, në pronësi të përbashkët familjare, pa cekur lokacionin.

Vila në Brezovicë posedojnë edhe Enver Hoxhaj, ish-krye diplomati i Kosovës dhe Arsim Bajrami, ish-ministër i Arsimit në Qeverinë Thaçi. Por kjo histori e trisht e krimit të organizuar nuk përfundon vetëm me politikan, atje kanë depërtuar edhe strukturat e sistemit të drejtësisë dhe shtëpi në fshatin turistik të Brezovicës posedon edhe prokurorja e shtetit, Laura Pula. Dhe sikur mos të mjaftonin vilat, në parkun kombëtar në Brezovicë, ku në fakt me ligjet e Kosovës, janë të ndaluara ndërtimet, atje dikush ka ngritur edhe hotele dhe një hotel në bashkë-pronësi, në Parkun Kombëtar të “Sharrit” thuhet se e ka ndërtuar edhe Veton Surroi. Sipas mediave publicisti në fjalë është aksionar në kompaninë “Stella Consulting”, e cila dyshohet se fitoi jashtëligjshëm lejen ndërtimore për ndërtimin e objektit afarist në Brezovicë.

Kështu që duke pasur parasysh të gjitha këto veprime kundërligjore, kjo aferë e kundërligjshme e politikanëve më të lartë të shtetit mund të jetë njëra nga finalet më të turpshme dhe zbulimet më të mëdha të korrupsionit që duhet ti godas përfundimisht në kokë politikën mafioze dhe politikanët e kriminalizuar të cilët dyshohen se përbëjnë zinxhirin më të madh mafioz në gjithë vendin. Ata, që kanë shfrytëzuar ndër vite pozitat e larta politike dhe institucionele në vend, për të përfituar, uzurpuar dhe privatizuar  pa asnjë lekë, dhe krijuar pasuri milionëshe të cilën, nëse ligji vepron drejtë, nuk do të kenë shans që ta arsyetojnë, ndaj në momentin që fillon verifikimi dhe hetimi serioz ndaj tyre, ata duhet të vendosen në bankën e të akuzuarve dhe të marrin dënimin e merituar, duke ju konfiskuar e gjithë pasuria kundërligjore dhe kthyer shtetit, si pronar legjitim. 

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".