A duhet të miratohet kodi i ri Civil që i hap rrugë martesave të personave të gjinisë së njëjtë në Kosovë

  • A.P /
  • 16 March 2022 - 17:27
A duhet të miratohet kodi i ri Civil që i hap rrugë martesave të personave të gjinisë së njëjtë në Kosovë

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për drafin e Kodit të të ri Civil, miratimi i të cilit do t’i hapte rrugë martesave mes personave të gjinisë së njëjtë. Kjo pikë në të, është bërë temë në Kosovë javë më parë.

Ligjvënësit nga LDK-ja dhe PDK-ja patën pyetje për Qeverinë lidhur me këtë çështje, duke kërkuar që kryeministri të deklarohet për këtë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se projektkodi “po lexohet keq” dhe shpjegoi se neni 1138 i këtij Kodi të projektuar Civil parasheh që personat e gjinisë së njëjtë “të regjistrohen si bashkësi civile”

Kodi i Ri civil “vetëm në mënyrë afirmative ka përcaktuar që në të ardhmen (kjo çështje) të rregullohet me ligj të veçantë”, tha Haxhiu.

“Unë konsideroj që kjo është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi”, tha ministrja.

Kundër draftit të Kodit të ri Civil doli AAK-ja. Besnik Tahiri nga AAK-ja tha se Kodi i ri Civil “nuk e ka mbështetjen e grupit tonë parlamentar”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e konsideroi “hap të madh” draftin për Kodin e ri Civil, duke kërkuar që “ta shohim se a i ka numrat për ta kaluar pa opozitën apo jo”.

Kundër doli edhe grupi parlamentar multietnik.

Çështja e martesave të seksit të njëjtë i ka çuar në hezitim deputetët që nuk duken të gatshëm për ta rregulluar të drejtën e martesave të personave të gjinisë së njëjt.

Drafti i Kodit të ri Civil i hartuar në disa vite, është finalizuar dhe Qeveria e ka aprovuar më 29 dhjetor të vitit që lamë pas

(Kosova Sot Online)