
Gjyshinca i paqartë, kalkulon dhe i akuzon deputetët tjerë se po kalkulojnë për vota

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca ka thënë se “shumë prej deputetëve po kalkulojnë për votë”, sot kur në Kuvend po diskutohet për draftin e Kodit të ri Civil, i cili shihet si shpresë nga pjesëtarët e komunitetit LGBT+ për ta realizuar të drejtën e tyre për t’u martuar me këdo që ata duan. Ai megjithatë tha në fund se do të abstenojë.
Gjyshinca tha se “demokracia dhemb, por është për të gjithë”.
“Po flasim për njerëz. Mbi të gjitha po flasim për njerëz, dhe duhet ta kemi ndjeshmërinë njerëzore”, tha ai.
“Pa marrë parasysh bindjeve tuaja pro apo kundër, po flasim për njerëz. Këtë duhet ta kemi parasysh”, theksoi Gjyshinca.
Në Kuvend, Gjyshinca tha se deputetët nuk janë vetëm për të kalkuluar për vota.
“Andaj, le t’i kemi parasysh në analizën tonë këto dy-tri parime, edhe nëse kjo do të na kushtojë me votë. Sepse unë e di që sot shumë prej deputetëve po kalkulojnë për votë, mirëpo ne nuk jemi këtu vetëm për votë”, tha ai.
Deputeti i LVV-së tha se debati sot është se çfarë shoqërie duam ta krijojmë.
“Unë kam biseduar edhe me ata të cilët më kanë votuar dhe e di mendimin e tyre, mirëpo ky Kuvend ka një rol emancipues për shoqërinë, udhëheq me shoqërinë”, tha ai.
(Kosova Sot Online)